Fatjon Cuka
27 Mars 2020•Përditësim: 27 Mars 2020
Veprimtaritë e Kuvendit të Shqipërisë do të zhvillohen online, në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, u zhvillua online mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, duke miratuar edhe grafikun e punës të komisioneve të përhershme parlamentare.
Sipas njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë, Ruçi, nënvizoi se “Veprimtaritë parlamentare do të zhvillohen online. Po kështu edhe mbledhjet e komisioneve të përhershme. Kjo do të kërkojë prezencën fizike në Kryesinë e Kuvendit të kryetarëve të komisioneve. Gjatë shqyrtimit të akteve normative dhe projektligjeve të tjera kërkesat për pjesëmarrjen e ministrave mbeten të pandryshuara, pra të njëjta me situatat normale”.
Më tej theksohet se mbledhja u zhvillua në frymën e një mirëkuptimi të plotë në lidhje me prioritetet e veprimtarisë së Kuvendit gjatë situatës së shkaktuar nga COVID-19 dhe miratimin e projektligjeve që lidhen me situatën e pandemisë.
Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë njofton se është me koronavirus
Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Adriatik Alimadhi, në një postim në rrjetet sociale, është shprehur se analizat e kryera nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) e kanë nxjerrë si rast pozitiv me kornavirus.
Lidhur me këtë rast, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në rrjetet sociale, ku shkruan: "I uroj shëndet e shërim të shpejtë Alimadhit dhe i mirëkuptoj fjalët e tij të tepërta në kushtet në të cilat ndodhet, duke iu lutur të ndjekë këshillat e mjekëve e mos mbistresohet për strategjinë e luftës, të cilën e vendosin ekspertët e shkëlqyer që kemi jo ne politikanët".
Kujtojmë se numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Shqipëri është rritur në 186, mes tyre 8 kanë ndërruar jetë dhe 31 janë shëruar.