Fatjon Cuka
10 Mars 2020•Përditësim: 11 Mars 2020
Federata Shqiptare e Futbollit(FSHF) ka konfirmuar se aktiviteti futbollistik në Shqipëri do të vijojë, por në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit ndeshjet do të zhvillohen me dyer të mbyllura, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Komiteti i Emergjencës në Federatën Shqiptare të Futbollit pas mbledhjes së jashtëzakonshme të zhvilluar ditën e sotme dhe komunikimeve zyrtare me Këshillin e Ministrave ka vendosur të njoftojë klubet se aktiviteti futbollistik në Shqipëri do të vijojë sipas kalendarit zyrtar të parashikuar nga sektori garave, por ndeshjet do të zhvillohen me dyer të mbyllura”, thuhet në njoftimin zyrtar të FSHF-së.
Sipas FSHF-së, kjo masë është marrë pas vendimit të djeshëm të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe në respekt të ruajtjes së shëndetit publik të sportdashësve dhe të gjithë personave të përfshirë në garën futbollistike në vend.
“Federata Shqiptare e Futbollit kërkon mirëkuptimin e të gjithë palëve, si një vlerësim objektiv për situatën në cilën ndodhet vendi”, theksohet me tej në njoftim.
- Situata mbi koronavirusin në Shqipëri
Aktualisht sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale numri i të prekurve në Shqipëri me koronavirusin e ri (COVID-19) është 6.
Institucionet në Shqipëri kanë marrë masa shtesë për parandalimin e depërtimit të koronavirusit.
Ndërkohë në të gjithë vendin në institucionet arsimore publike dhe jopublike, është vendosur ndërprerja e procesit mësimor deri më 23 mars.
Numri i personave të prekur nga koronavirusi i ri i cili u shfaq në qytetin Wuhan të Kinës dhe më pas u përhap në të gjithë botën ka tejkaluar numrin prej 114.000 personave.
Për shkak të COVID-19 kanë humbur jetën mijëra persona, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila shpalli epideminë si një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore, përditësoi nivelin e rrezikut global në "shumë të lartë".