Besar Ademi
27 dhjetor 2015•Përditësim: 28 dhjetor 2015
SHKUP (AA) – Në kuadër të programit festiv të Vitit të Ri, në qendër të Shkup u mbajt gara e babadimrave, e cila tashmë për herë të dytë organizohet nga Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me Qendrën e Kongresit “Aleksandri i Maqedonisë” dhe Shoqatës “I pari në krye”, me mbështetje të kompanisë “Coca-Cola”, raporton Anadolu Agency (AA).
Rreth 460 pjesëmarrës të të gjitha grupmoshave, ndër të cilët edhe fëmijë të shoqëruar nga prindërit, të veshur me kostume babadimri garuan në shtegun me gjatësi 1.5 kilometra, ndërsa çmime u ndanë për tre të parët e gjinisë mashkullore dhe tre të parët e gjinisë femërore.
“Në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit dhe partnerët tanë arritëm që për herë të dytë të organizojmë këtë garë. Shpresojmë që kjo garë të mbetet traditë në këtë qytet”, u shpreh Vera Milloshovska, njëra nga organizatorët e garës.
Ndryshe, gara e babadimrave është pjesë e programit festiv të Vitit të Ri dhe mbahet me synim që qyteti i Shkupit të bashkohet në listën e metropoleve të botës, ku organizohen evente të këtilla.