Bekim Laci
27 dhjetor 2015•Përditësim: 28 dhjetor 2015
SHKUP (AA) - Partia politike Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë (RDM), e cila në parlamentin e vendit ka një ulëse, me anë të një konference për mediat të dielën kërkoi që duke filluar nga e hëna dhe deri në fund të shkurtit të vitit 2016 të shpallet gjendje e jashtëzakonshme nga shkaku i ajrit të ndotur, raporton Anadolu Agency (AA).
Përveç kësaj, RDM ka propozuar edhe masa të domosdoshme të cilat do të aplikohen nëpër qytetet e ndotura në të cilat përfshihen definimi i zonës së gjelbër për këmbësorë dhe çiklistë, larjen e rrugëve me ujë, subvencione për stufa me djegie të plotë dhe karburante cilësore për amvisëritë, ndërsa është propozuar edhe kontrolli i rreptë i fabrikave industriale dhe mbledhje e rregullt e mbeturinave.
Partia propozon edhe miratimin e një ndalese për automjetet nën standardin 4 BE.
"Këto janë masa urgjente që bëhen me pak buxhet, ndërsa mund shpejtë të japin rezultate. Qeveria nuk duhet të jetë e shurdhër kundrejt protestave dhe kërkesave të qytetarëve, sepse ata luftojnë edhe për fëmijët e tyre", thuhet në reagimin.
Ndërkohë, organizata të ndryshme qytetare të tubuara nën moton “Dil për ajër” kanë bërë thirrje për një protestë e cila do të mbahet të hënën në ora 17:00 para godinësë së qeverisë në Shkup.
“Konfirmojmë përkushtimin tonë për organizim të një proteste masive të hënën në ora 17:00 para qeverisë së Maqedonisë, e cila është thirrur nga mbi 20 organizata nga Shkupi, Manastiri dhe Tetova, në të cilën do të shprehim revoltën qytetare për pasivitetin e kompetentëve", thuhet në deklaratën e përbashkët në të cilën apelohet për masa urgjente mbrojtëse.
Ndryshe, një kohë të gjatë disa qytete të Maqedonisë janë përfshirë nga ajri i ndotur, ndërsa ditë më parë mijëra qytetarë të Tetovës të revoltuar nga gjendja katastrofike ekologjike në qytet, përsëri dolën në rrugë për të kërkuar ajër të pastër dhe për të kërkuar nga organet kompetente të angazhohen në punën e tyre për zvogëlimin e ndotjes së ajrit në këtë rajon.
Kombinati "Jugohrom" vendosi të ndalë për një periudhë të caktuar punën e furrave të saj të prodhimit pas protestave të qytetarëve të Tetovës të cilët kombinatin e akuzojnë si ndotësin kryesor të ajrit.