jeta

Kenia, safari i vetëm në botë në afërsi të një qyteti

Parku Kombëtar Nairobi në Kenia është zona e vetme me kafshë të egra në botë i lokalizuar pranë një qyteti dhe paraqet një atraksion të vërtetë për admiruesit vendas dhe të huaj të safarit

Recep Canik  | 01.03.2018 - Përdıtësım : 02.03.2018
Kenia, safari i vetëm në botë në afërsi të një qyteti Foto: Recep Canik/AA

Nairobi

NAIROBI (AA) – RECEP CANIK

Parku Kombëtar Nairobi në Kenia është zona e vetme me kafshë të egra në botë i lokalizuar pranë një qyteti dhe paraqet një atraksion të vërtetë për admiruesit vendas dhe të huaj të safarit.

I lokalizuar 7 kilometra larg nga kryeqyteti Nairobi, Parku Kombëtar Nairobi, në gjuhën vendase njihet si “Kifaru ark” që nënkupton “fusha e shenjtë e rinoçerontëve”.

Parku me fushat e mëdha dhe me pemët akacia, paraqet vendbanim për shumë lloje të shtazëve të egra. Në parkun në fjalë pos rinoçerontit të zi, luanit, leopardit, buallit, gepardit, hienës dhe gjirafave, jetojnë edhe 400 lloje të shpendëve.

Holandezja Emma Gibson, e cila në Kenia ndodhet për pushime, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) tha se bashkë me fëmijët dhe bashkëshortin ishin mahnitur nga Parku Kombëtar Nairobi.

“Ardhja në këtë park të mbushur me luanë dhe leopardë dhe shikimi i shtazëve nga afër, derisa para 20 minutave ishim në qendër të Nairobit duke shëtitur rrugëve dhe duke bërë shoping, për ne ishte mjaft entuziazmuese dhe një eksperiencë shumë e bukur", u shpreh Gibson.

Çdo vit vizitohet nga qindra mijëra turistë

Hyrja në parkun të cilin çdo vit e vizitojnë qindra mijëra turistë nga të katër anët e botës për të parë nga afër vendbanimin e kafshëve të egra, për të huajt kushton 43 dollarë.

Turistët vendas dhe të huaj të cilët e vizitojnë parkun, kanë mundësinë që me automjetet e tyre ose me automjetet safari me pjesën e sipërme të hapur, të shohin në një vend dhe të fotografojnë qindra lloje të kafshëve.

Për çdo ditë, parku është i hapur nga ora 06:00 deri në ora 19:00 ndërkaq kafshët të cilat ndjellin më tepër kurreshtje janë luanët dhe rinoçerontët e zinj të cilët janë të paktë në numër.

Nga ana tjetër, gjuetia e paligjshme edhe përkundër ndërmarrjes së të gjitha masave të sigurisë, ka bërë që Shërbimi Kenian për Kafshë të Egra (KWS) të caktojë nëpunës kujdestarë të armatosur me qëllim mbrojtjen e kafshëve në park.

Kenia, e cila çdo vit vizitohet nga miliona turistë, të ardhurat më të majme i siguron nga turizmi safari. Nga 580 mijë e 376 kilometra katrorë sa është sipërfaqja e Kenias, 7 për qind, më konkretisht 44 mijë e 359 kilometra katrorë konsiderohet zonë e shtazëve të egra dhe është nën mbrojtjen e shtetit.

Parku kombëtar më i vjetër në vend

Parku Kombëtar Nairobi është një nga rajonet më të famshme në Afrikë sa u përket vendeve ku mund të shihet për së afërmi jeta e kafshëve të egra. Që nga vti 1946 është marrë nën mbrojtje dhe si park është shndërruar në zonën më të vjetër natyrore.

Kenia që nga mesi i viteve 1800 e deri në vitin 1964 ishte nën kolonizimin britanik. Pasi vendi fitoi pavarësinë në vitin 1946, mbrojtja e parkut u kaloi kenianëve.

Nga ana tjetër, që nga krijimi, ky park është shënjestër e gjuetarëve ilegalë. Djegia e 12 tonëve të dhëmbëve të elefantit në vitin 1989 nga presidenti i parë i Kenias, Daniel Arap Moi, ishte tregues i vendosmërisë së vendit për mbrojtjen e kafshëve të egra.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın