Nour Mahd Ali Abu Aisha,Murat Tan
30 Mars 2017•Përditësim: 30 Mars 2017
GAZA (AA) - Nour Mahd Ali Abu Aisha/Murat Tan
Mësuesja e arteve të cirkut, irlandezja Jenny Higgins (29), në kursin e thjeshtë të saj në Gaza është mësuesja e 8 të rinjve.
Haggins dëshiron që këtë art, i cili kërkon qetësi dhe balancë të plotë, ta bart në Gaza, duke synuar që sadopak t’i fshijë shenjat e luftës dhe të shkatërrimeve në këtë vend.
Higgins, me veprat e saj të kujdesshme dhe të qeta mbi litarin nga lecka, i cili zgjatet nga tavani i dhomës, në një anë i tregon aftësitë e saj, kurse në anën tjetër i mëson nxënësit nga Gaza për hollësitë e këtij arti.
Mësuesja irlandeze, të rinjve të këtij vendi të cilët janë të interesuar për këtë art dhe po marrin pjesë në këtë kurs të quajtur “Cirki i Gaza-s” po ua tregon lëvizjet akrobatike dhe gjimnastike. Kurse të rinjtë që ndodhen në këtë dhomë jetojnë entuziazmin e mësimit të lëvizjeve të reja nga mësuesja irlandeze, Higgins.
“Dua që edhe të tjerëve t’u mësoj artin e cirkut”
Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Higgins tha se pas vizitave të saj në Gaza ka vendosur që t’i mbështesë shkollat e artit dhe cirkut të cilat ndodhen në veri të këtij qyteti.
“Dua që edhe të tjerëve t’u mësoj artin e cirkut. Për këtë arsye kam ardhur shtatë herë në Gaza. Jam takuar më shkollat e artit dhe cirkut këtu. Jam në Gaza për t’u mësuar artin e cirkut, të cilin e dua. Në kuadër të një projekti të përgjegjësisë sociale, të organizuar nga disa organizata civile të Irlandës, kam vendosur që të jap kurse në Gaza", tha Higgins.
Ajo tha se mësimi i artit të cirkut në Gaza është shumë më ndryshe se sa në Irlandë, por që këtu është më lehtë të arrihet tek të rinjtë dhe që këtu ka mundësi të ndryshme për mësim.
Duke theksuar se e pëlqen më shumë mësimin në Gaza, Higgins tha se “Që nga më parë mendoja që ta mësoj këtu artin e cirkut. Aplikimi i tij është shumë i mirë. Po mburrem me atë që kam bërë. Të rinjtë janë shumë të aftë, po duken si të jenë mjeshtër të këtij arti”.
Duke shprehur synimin e saj për të hapur cirkun e parë për gratë, e përshtatshme me traditat e Gazës, Higgins tha se “Për momentin jam duke e hulumtuar këtë çështje. Kam biseduar me vajzat që janë të interesuar për këtë art dhe me institucionet e Gazës, për të hapur një kurs special për vajza. Pasi që të marr aprovim lidhur me çështjen, do ta diskutojmë edhe idenë e dërgimit të nxënësve vajza nga Irlanda për në Gaza”.
"Dëshirojmë që t’u japim shpresë zemrave të njerëzve në Gaza"
Higgins thekson se gjetja e shkollave të artit dhe cirkut është një ide shumë e mirë për të shpëtuar nga problemet për shkak të embargove prej të cilave vuan Gaza dhe problemeve të papunësisë. Sipas saj, këto kurse u japin të rinjve mundësi për t’u relaksuar.
Ndërsa i riu nga Gaza, Muhammed el-Icle (21), i cili me shumë mjeshtëri po i bën lëvizjet e treguara nga mësuesja irlandeze tha se “është shumë argëtuese ta mësosh artin e cirkut. Unë erdha dhe u regjistrova këtu. Kam filluar ta mësoj këtë art rreth para një viti e gjysëm. Shumica e mësuesve janë të huaj. Posaqërisht mësuesit për zhvillimin e performancës janë irlandezë. Unë këtu po e mësoj këtë art nga mësuesit profesionalë të kësaj lëmie”.
Më tej Icle tha se qytetarët e Gazës tregojnë një interesim të lartë për shfaqjet në cirk. “Kur organizojmë shfaqje shohim se njerëzit argëtohen me këtë. Ne e ndiejmë që ata janë të lumtur nga interesimi dhe duartrokitja e qytetarëve. Duke e zhvilluar artin tonë, ne dëshirojnë që t’u japim shpresë zemrave të njerëzve në Gaza. Në këtë mënyrë dëshirojmë t’u tregojmë qytetarëve të Gazës pavarësisht shkatërrimeve dhe luftës, ende ka gëzim dhe shpresë”.