Merve Yıldızalp,Sarp Özer
19 Dhjetor 2016•Përditësim: 19 Dhjetor 2016
ANKARA (AA) – Në kuadër të ofensivës "Mburoja e Eufratit", forcat ajrore turke kanë shkatërruar të paktën 12 baza të organizatës terroriste DEASH në veri të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë turke deklaroi se bombarduesit e Forcave Ajrore turke sot kanë kryer sulme të ashpra në pozicionet e terroristëve të DEASH-it në qytetin verior sirian Al Bab dhe se me këtë rast janë shkatërruar të paktën 12 fortesa të terroristëve.
Ofensiva "Mburoja e Eufratit" nisi më 24 gusht në veri të Sirisë për të neutralizuar kërcënimet terroriste me fokus të DEASH-it, si dhe për të forcuar sigurinë në zonën kufitare siriano-turke.
Ofensivën janë duke e udhëhequr forcat opozitare siriane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për vetëmbrojtje. Ata po mbështeten nga forcat turke si dhe të koalicionit ndërkombëtar kundër DEASH-it.
Konfliktet më intensive po zhvillohen në periferi të qytetit Al-Bab. Një numër i madh i terroristëve në ditët e fundit i janë dorëzuar forcave të opozitës siriane, dhe është interesante se vetë aktin e dorëzimit e kanë xhiruar me kamera të vendosura, siç shpjeguan më vonë, gjatë dëshmisë së tyre si një lloj mase e sigurisë që lajmi të arrijë të publikohet në rast se do të ishin vrarë gjatë dorëzimit.
Që nga fillimi i ofensivës "Mburoja e Eufratit" deri më tani nga terroristët e DEASH-it janë çliruar të paktën 215 vendbanime në zonën kufitare veriore të Sirisë, me një sipërfaqe prej rreth 2.000 kilometra katrorë.