STAMBOLL (AA) - Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka marrë pjesë në prezantimin e projektit të Qendrës Kulturore Ataturk në Stamboll, e cila do të rrënohet dhe do të shndërrohet në ndërtesë të operas, raporton Anadolu Agency (AA).
Programi prezantues i projektit, i cili organizohet në Qendrën e Kongreseve Haliç në Stamboll, mbahet nën organizimin e ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Numan Kurtulmuş.
Gjatë fjalimit të tij presidenti Erdoğan uroi ministrinë, komunën, arkitektët dhe të gjithë ata që janë përpjekur për këtë projekt. Ai tha se shpresojnë që ky projekt të përfundojnë dhe të vihet në shërbim në çerekun e parë të vitit 2019.
“Kur të përfundojë dhe të vihet në shërbim, Qendra Kulturore Ataturk (AKM) me të vërtetë do të jetë një zbardhje e fytyrës dhe objekt simbolik për Stambollin tonë”, tha ai.
“Turqia vetëm sot arrin të fillojë një punë, të cilën ishte dashur ta bënte 10 vite më parë. Më vjen shumë keq për këtë. Sepse ne moti ishte dashur që të përfundojmë AKM-në dhe ta vëmë në shërbim të popullit tonë”, theksoi presidenti Erdoğan.
Ai tha se rezistenca për rindërtimin e kësaj ndërtese po shkaktohet nga obsesionet ideologjike.
"Vlerësimet e bëra nga institucione të ndryshme që nga viti 2007, kanë treguar se ndërtesa tani më nuk mund të përdoret. Ne e dimë shumë mirë se rezistenca për rrënimin dhe rindërtimin e kësaj ndërtese përkundër të dhënave shkencore, po shkaktohet nga obsesionet ideologjike e jo nga ndjeshmëria artistike e kulturore. Tani pas protestave, ndjekjeve penale, fushatave, zhurmave e përleshjeve, më në fund është arritur në rrugën e shkencës, mendjes dhe të logjikës. Sot me prezantimin e këtij projekti fillon procesi i rrënimit dhe rindërtimit të Qendrës Kulturore Ataturk”, tha Erdoğan.
Sipas tij, "Mentaliteti i cili kundërshton rindërtimin e AKM-së, është i njëjtë me qëndrimin i cili mundohet ta pengojë luftën e Turqisë kundër organizatave terroriste". Erdoğan thotë se "Forcat të cilat po përpiqen që t'i pengojnë projektet tona të mëdha, si aeroportin që e ndërtuam në Stamboll, dhe aktet të cilat po përpiqen t’i sabotojnë operacionet tona në Siri dhe Irak janë të njëjta”.
“T’i pyesim ata të cilët çdo herë që e hapin gojën flasin për bashkëkohësinë, perëndimizmin, modernizmin dhe evropianizmin, cilat vepra kanë arritur që t’i paraqesin në nivel botëror? Si për shembull, a kanë arritur të nxjerrin një artist të operas, një artist të zhanrit pop, një aktor, apo kitarist? Ashtu si nuk kishim arritur të nxjerrim një automjet, avion, kompjuter, telefon apo sistem operativ të pranueshëm në nivel botëror, për fat të keq do e përjetonim të njëjtin dështim edhe në fushën e kulturës dhe të artit”, thotë Erdoğan.
Më tej ai shton se po ecin përpara duke marrë forcë nga historia. "Ne sot e shohim si të saktë dhe e mbrojmë qëllimin për të ngritur nivelin e civilizimit bashkëkohor, i cili është përcaktuar në vitetet e themelimit të republikës sonë. Ne vetëm se po përdorim metoda tjera për të arritur këtë qëllim. Rritja për trefish të Turqisë në 15 vitet që shkuan, është veprimi më i madh, më ambicioz dhe më i suksesshëm i civilizimit dhe të modernizmit. Ndërtesa e re e cila do të ndërtohet në vend të Qendrës Kulturore Ataturk është një reflektim i kësaj qasjeje. Projekti do të realizohet nga Murat Tabanlıoğlu, djali i të ndjerit Hayati Tabanlıoğlu, i cili ishte dizajneri i parë i AKM-së. Kjo tregon se qëllimi është i njëjtë dhe se nuk i është kthyer shpina historisë por që në të kundërtën, është duke u ecur përpara, duke marrë forcë nga historia", tha Erdoğan.
Historia e AKM-së
AKM u projektua në vitin 1946 si ndërtesë e teatrit dhe u ndërtua në sheshin Taksim të Stambollit nga arkitekti August Perret.
Qendra ishte hapur për shërbim në vitin 1969 me emrin Pallati i Kulturës në Stamboll. Ajo u bë e papërdorshme pas një zjarri në vitin 1970, kurse u rihap në vitin 1977.
Në vitin 1999 ajo u regjistrua si “pasuri kulturore e cila duhet të mbrohet”.
Me kërkesë të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Universiteti "Sakarya" në vitin 2007 përgatiti një raport lidhur me qëndrueshmërinë e strukturës së përforcuar të betonit të kësaj qendre, ku u njoftua se ndërtesa duhet të përforcohet.
Në kuadër të protokollit të nënshkruar nga Agjencia e Kryeqytetit Kulturor të Evropës Stamboll 2010, në vitin 2009 u realizua tenderi për riparimin dhe renovimin e saj.
Përkundër miratimit të punëve që do të bëhen edhe nga bordi, Gjykata Administrative e 9-të e Stambollit, brenda të njëjtit vit mori vendim për anulimin e projektit dhe vendimit të Komitetit të Mbrojtjes.
Pas kësaj u përgatitën projektet për mbrojtjen e qendrës në formën aktuale, dhe për përforcimin, rinovimin dhe riparimin e saj. Në vitin 2012 ministria realizoi tenderin për “Punët e përforcimit, riparimit dhe rinovimit të Qendrës Kultorere Ataturk në Stamboll”.
Pas përfundimit të punëve të demontimit, si rezultat i vlerësimeve të bëra nga Fakulteti i Ndërtimtarisë së Universitetit Teknik të Stambollit, u zbulua se shkatërrimi në ndërtesë është më i madh se nga ajo që pritej dhe më 23 maj të vitit 2013 u mor vendimi për ndaljen e punimeve të rinovimit të ndërtesës.