Ayşe Böcüoğlu Bodur
25 dhjetor 2023•Përditësim: 26 dhjetor 2023
Ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë, Mehmet Fatih Kacır, tha se Türkiye do të krijojë një strukturë të prodhimit të baterive me Togg, kompaninë autoktone të makinave elektrike, duke u zotuar se vendi do t'i nënshtrohet një transformimi të shpejtë në sektorin e prodhimit me fokus në teknologjive inovative, raporton Anadolu.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri Kacır tha se në Türkiye do të ketë shumë marka dhe prodhues në periudhën e ardhshme, duke shtuar se gjatë vizitës së tij në tetë qytete të ndryshme kineze, ai vizitoi kompanitë që merren me sektorët e prodhimit të automobilave dhe baterive, duke përfshirë GAC AION, Chery, Zeekr, BYD, SAIC, Fararis dhe Huawei.
Kacır theksoi se Kina është pionierja e tranzicionit të sektorit të automobilave drejt automjeteve elektrike.
Ai u shpreh se lojtarë të rinj do të shfaqen në tregun e automobilave në periudhën e ardhshme, duke thënë: "Ne synojmë ta shndërrojmë kalimin drejt automjeteve elektrike në një mundësi për Türkiyen dhe hapi më i rëndësishëm që bëmë drejt këtij qëllimi ishte të shfaqim markën tonë kombëtare Togg".
"Türkiye realizoi një veprim të rëndësishëm për t'u bërë një nga vendet kryesore të revolucionit të automjeteve elektrike", u shpreh ai, duke shtuar: "Tranzicioni në automjetet elektrike mund të sjellë përfitime të shumta për Türkiyen dhe ne e kemi prioritet këtë si një hap vendimtar drejt arritjes së objektivave të të qenit karbon-neutral në vitin 2053".
Gjatë vizitës së tij në Kinë, Kacır tha se u takua me drejtuesit e kompanisë prodhuese të baterive Farasis, duke shtuar se kompania do të krijojë një strukturë të prodhimit të baterive me Togg në Gemlik, një komunë në qytetin Bursa.
Ai tha se Türkiye inkurajon dhe mbështet investimet në teknologjinë e gjeneratës së ardhshme, duke shtuar se ka interes ndërkombëtar për Türkiyen dhe se ministria do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për ta shndërruar këtë interes në investim në periudhën e ardhshme.
Ai theksoi se prodhuesit ekzistues në vend do t'i nënshtrohen transformimeve të shpejta me fokus në teknologjitë inovative dhe se lojtarët e rinj do të vazhdojnë të investojnë në Türkiye në periudhën e ardhshme.