Ekonomi

Transporti tranzit midis Turqisë dhe Sirisë do të fillojë në nëntor

"Bashkëpunimi është duke vazhduar në fushat e tregtisë, transportit dhe menaxhimit të kufijve", tha për Anadolu, Mazen Alloush, zyrtari sirian i transportit

Muhammed Karabacak  | 04.11.2025 - Përdıtësım : 04.11.2025
Transporti tranzit midis Turqisë dhe Sirisë do të fillojë në nëntor

Damask

Koordinimi dhe integrimi në pikat kufitare midis Turqisë dhe Sirisë po përparon me shpejtësi dhe marrëveshja e transportit tranzit do të jetë plotësisht funksionale këtë muaj, tha drejtori i marrëdhënieve me publikun në Autoritetin e Përgjithshëm Sirian për Portet Tokësore dhe Detare, Mazen Alloush.

"Ne mbajmë takime me zyrtarët turq pothuajse çdo javë. Kur lind një problem, ne krijojmë komunikim të ndërsjellë dhe e zgjidhim atë brenda mundësive tona", tha Alloush për Anadolu. Duke shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e Ankarasë për Damaskun "që nga çlirimi", ai tha se bashkëpunimi dhe koordinimi janë duke vazhduar në fushat e tregtisë, transportit dhe menaxhimit të kufijve.

Ai tha se zbatimet po fillojnë sipas marrëveshjes së transportit tranzit të nënshkruar në Stamboll në gusht. Sipas tij, sistemi i transportit për trafikun e mallrave do të përfundojë në nëntor. Alloush deklaroi se vizat e shoferëve sirianë do të lëshohen nga Konsullata Turke në Halep brenda 10 ditësh ndërsa shoferët turq do të jenë në gjendje të marrin viza direkt në portën kufitare.

Alloush tha se autoritetet turke kohët e fundit morën një vendim paraprak për të lejuar sirianët me shtetësi të dyfishtë të hyjnë në Turqi me automjete me targa siriane dhe se zbatimi do të fillojë së shpejti.

Në vazhdim ai tha se flota e transportit sirian do të zhvillohet në periudhën e ardhshme dhe se qëllimi është që shoferët sirianë të jenë në gjendje të shkojnë përsëri në Rusi, Gjeorgji, Ukrainë, Evropë dhe vendet e Gjirit përmes Turqisë.

Ai tha se vëllezërit turq vazhdojnë të mbështesin Sirinë me të gjitha aftësitë e tyre. Zyrtari sirian thekson se sistemet e reja të radarëve janë instaluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Damaskut ditët e fundit, duke u mundësuar avionëve të ngrihen dhe të ulen natën.

Alloush potencoi se kamionët me ndihmë humanitare po kalojnë nëpër Turqi pa probleme dhe se Ankaraja ka ofruar lehtësira të rëndësishme në këtë drejtim.


- 110 mijë kontejnerë të përpunuar në porte deri më tani

Alloush vlerëson punën e kryer që kur Siria u çlirua nga regjimi Baath më 8 dhjetor 2024. Ai tha se të gjitha kalimet kufitare tokësore dhe portet detare janë shkatërruar. Kalimet kufitare Nasib (Jordani) dhe Tiyyas (Liban) të sapohapura si dhe portet e Latakias dhe Tartus, janë rikthyer në funksion, shpjegon ai.

Duke vënë në dukje se infrastruktura dhe sistemet elektronike në këto kalime janë rinovuar, ai tha se janë importuar më shumë se tre milionë ton karburant. Një total prej 333 anijesh hynë dhe dolën nga porti i Latakias, dhe mbi 700 anije hynë dhe dolën nga porti i Tartusit. Sipas tij, që nga 8 dhjetori, një total prej 110 mijë kontejnerësh janë trajtuar në porte.


- Korrupsioni, kontrabanda e trajtuar në kufi

Më tej Alloush tha se korrupsioni, ryshfeti dhe kontrabanda ishin të përhapura në porte gjatë regjimit të vjetër, por se ky sistem është eliminuar. Ai thotë se shërbimet janë plotësisht falas dhe është e ndaluar t'i japësh dhurata ose ryshfet ndonjë zyrtari.

Duke identifikuar kontrabandën si një kërcënim gjatë regjimit të vjetër, ai tha se vendi ka shkatërruar rrugën e narkotikëve që fillonte në pikën kufitare "Nasib" dhe parandalonte më shumë se pesë dërgesa të mëdha. Zyrtari sirian thotë se përpjekjet nga kufiri libanez vazhdojnë dhe se ekipet K9 me qen për narkotikë dhe sistemet e avancuara të kontrollit janë vendosur në të gjitha portat.

Alloush thekson se modernizimi i sistemeve të kontrollit me rreze X, të cilat nuk funksiononin ose nuk ekzistonin gjatë regjimit të rrëzuar është përshpejtuar, duke thënë se 20 makina të reja me rreze X po hyjnë në shërbim dhe të gjitha pikat kufitare do të kenë teknologji të nivelit botëror.

Ai tha se një zgjidhje e pjesshme ishte zbatuar për sirianët me shtetësi të dyfishtë për të sjellë automjetet e tyre në Siri, duke thënë se sipas rregullores së re, çdo sirian me shtetësi të dytë në Turqi ose në një vend tjetër mund të sjellë automjetin e tij në Siri duke përdorur pasaportën e tij.

Sipas tij, kushti i vetëm është prova e shtetësisë siriane, dhe madje edhe një pasaportë siriane e skaduar pranohet për këtë proces. Alloush tha se depozita e sigurisë që më parë ngarkohej në pikat kufitare si pjesë e procedurës së hyrjes së automjetit është ulur nga 50 dollarë në 15 dollarë. Kjo rregullore, thotë ai, është hap i rëndësishëm drejt lehtësimit të kalimeve kufitare për sirianët.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın