Ekip
19 Prill 2022•Përditësim: 20 Prill 2022
Prodhuesi francezo-italian i automjeteve "Stellantis" konfirmoi se po ndalon prodhimin në një fabrikë furgonësh në Kaluga të Rusisë, duke ia atribuuar vendimin "sanksioneve të kryqëzuara" dhe "vështirësive logjistike", raporton Anadolu Agency (AA).
"Duke pasur parasysh rritjen e shpejtë ditore të sanksioneve të kryqëzuara dhe vështirësive logjistike, Stellantis ka pezulluar operacionet e saj prodhuese në Kaluga për të siguruar përputhjen e plotë me të gjitha sanksionet e kryqëzuara dhe për të mbrojtur punonjësit e saj", thuhet në një deklaratë të kompanisë.
Që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, të cilën Rusia e filloi më 24 shkurt, disa kompani të huaja kanë pezulluar aktivitetet e prodhimit në Rusi, duke përfshirë prodhuesit e makinave Renault, Mitsubishi dhe Toyota.
"Stellantis" po operonte në Kaluga, rreth 200 kilometra në jugperëndim të Moskës, në partneritet me Mitsubishi. Muajin e kaluar, "Stellantis" kishte pezulluar eksportet dhe importet drejt dhe nga Rusia, por e mbajti fabrikën e saj ruse në funksion.