Murat Temizer
01 Dhjetor 2016•Përditësim: 01 Dhjetor 2016
MOSKË (AA) - Rusia ka mirëpritur marrëveshjen e arritur të OPEC-ut për të kufizuar prodhimin e naftës, deklaroi ministri rus i Energjisë, Alexander Novak, raporton Anadolu Agency (AA).
Novak tha se Rusia është e gatshme ti bashkangjitet vendimit dhe të shkurtojë nivelin e prodhimit për 300.000 fuçi në ditë.
"Sipas rezultateve të bisedimeve tona proaktive me vendet kyçe të OPEC-ut dhe atyre që nuk janë pjesë e saj dhe të cilat zgjatën disa muaj, Rusia do të reduktojë prodhimin për 300.000 fuçi në ditë duke filluar nga gjysma e parë e vitit 2017 duke respektuar afatet”, tha Novak.
Anëtarët e OPEC të mërkurën unanimisht ranë dakord për uljen e nivelit të prodhimit të naftës për 1.2 milionë fuçi në ditë (PBD), respektivisht në 32.5 milionë fuçi në ditë. Kjo është ulja e parë e prodhimit në tetë vitet e fundit, dhe ndërhyrja e saj e parë në tregun botëror të naftës që nga mesi i vitit 2014, kur çmimet e naftës filluan të bien.
Në mbledhjen e së mërkurës të kartelit në Vjenë, anëtarët ranë dakord për uljen e nivelit të prodhimit në 32.5 milionë fuçi në ditë, nga 33.64 milionë sa ishte në tetor.