Islam Uddin
10 Dhjetor 2020•Përditësim: 10 Dhjetor 2020
Kina sot vendosi detyrime të përkohshme kundër subvencionit për verën australiane, vetëm disa ditë pasi ajo zbatoi tarifat për importet e verës nga vendi i Komonuelthit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria Kineze e Tregtisë përmes një deklarate tha se subvencionet australiane kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në industrinë e brendshme të verës së Kinës, njoftoi gazeta shtetërore "Global Times".
Më 28 nëntor, Pekini vendosi tarifa mbi 200 për qind ndaj importeve të verës australiane pas një hetimi anti-dumping.
Kina është destinacioni më i madh i verës australiane, e cila blen afër 40 për qind të eksporteve totale të verës së Australisë.
Eksportet e verës së Australisë në Kinë u rritën nga 520 milionë dollarë në vitin 2016 në 1.7 miliardë dollarë në vitin 2019 pasi të dyja vendet nënshkruan marrëveshje të tregtisë së lirë që lejonte verën australiane në Kinë pa tarifa.
Muajin e kaluar, Pekini u kërkoi importuesve të pezullonin porositë e verës dhe gjashtë llojeve të tjera të eksporteve australiane.
Marrëdhëniet midis Pekinit dhe Canberrës u tensionuan pasi kjo e fundit u bashkua me aleatët e saj perëndimorë në kërkim të një hetimi për origjinën e COVID-19, i cili u shfaq për herë të parë në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar.
Në një përpjekje për të rregulluar lidhjet dypalëshe, më 24 nëntor kryeministri i Australisë, Scott Morrison i zgjati dorën e pajtimit Kinës, duke thënë se dëshiron "bashkëjetesë të lumtur" me partnerin e saj më të madh tregtar.
Në një adresim virtual në 'Think-tank-un' e Shkëmbimit të Politikave të Britanisë së Madhe, Morrison pranoi se ekzistojnë "tensione të pamohueshme" në marrëdhëniet Australi-Kinë, shumë prej të cilave bazohen në "disa keqkuptime".