Bahattin Gönültaş
28 Janar 2022•Përditësim: 28 Janar 2022
Indeksi i çmimeve të importit të Gjermanisë në vitin 2021 u rrit me 13.5 për qind krahasuar me vitin 2020 për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, duke shënuar rritjen më të shpejtë në 40 vitet e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Enti Federal i Statistikave të Gjermanisë (Destatis) ka shpallur indekset e çmimeve të importit dhe eksportit për vitin e kaluar. Sipas kësaj, indeksi i çmimeve të importit në vend u rrit me 24 për qind në dhjetor të vitit 2021 krahasuar me dhjetorin e vitit 2020 dhe me 0.1 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm, respektivisht nëntorin e vitit 2021.
Në vitin 2021 indeksi shënoi rritjen më të shpejtë që nga viti 1980, duke u rritur me 13.5 për qind krahasuar me vitin 2020 për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë. Në vitin 1980 kjo rritje u regjistrua në 13.7 për qind.
Rritja e shpejtë e çmimeve të importit vitin e kaluar është shkaktuar nga rritja e çmimeve të produkteve energjetike.
Në njoftimin e lëshuar nga Destatis thuhet se çmimet e importit të energjisë vitin e kaluar kanë qenë 83.8 për qind më të shtrenjta se në vitin 2020.
Të gjitha burimet e energjisë ishin mesatarisht dukshëm më të shtrenjta në vitin 2021 sesa në vitin 2020. Çmimet e energjisë elektrike dhe gazit natyror u rritën veçanërisht ndjeshëm, me përkatësisht 216.4 për qind çmimet e energjisë dhe 138.7 për qind çmimet e gazit natyror.
Duke përjashtuar produktet e energjisë, çmimet e importit u rritën me 7.3 për qind në bazë vjetore në vitin 2021.
Indeksi i çmimeve të eksportit në Gjermani u rrit me 10.9 për qind në dhjetor 2021 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar rritjen më të shpejtë mujore që nga dhjetori 1974 (15.2 për qind). Indeksi i çmimeve të eksportit u rrit me 5.6 për qind në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020.
Analistët parashikojnë se rritja e kostove të importit do të ndikojë edhe në çmimet e konsumit.
Inflacioni vjetor në Gjermani, i cili ishte 5.2 për qind në nëntor të vitit të kaluar, u rrit në 5.3 për qind në dhjetor për shkak të çmimeve të larta të energjisë dhe ushqimeve, duke arritur nivelin më të lartë në 30 vitet e fundit.