Gökhan Kurtaran
14 Qershor 2016•Përditësim: 14 Qershor 2016
LONDËR (AA) - Në referendumin që do të mbahet javën e ardhshme në Britani edhe nëse rezultatet tregojnë një vendim për daljen nga Bashkimi Evropian, marrëveshjet ekzistuese nuk do të përfundohen menjëherë. Komisioni Evropian mban një pozicion për qëndrimin e Britanisë por gjithashtu po vlerëson edhe skenarin e mundshëm Brexit, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Komisionit Evropian (KE) Mina Alexandrova Andreeva e cila i është përgjigjur pyetjeve të gazetarit të AA-së tha se "KE-ja nuk ka plan B. Kreu i Komisionit Jean-Claude Juncker, shumë herë e ka shprehur se preferenca e tij është që Britania e Madhe të qëndrojë brenda BE-së në kuadër të një marrëveshjeje të drejtë".
Duke tërhequr vëmendjen se marrëveshjet ekzistuese nuk do të përfundohen menjëherë në rast të daljes së Britanisë nga BE-ja, Andreeva, ka vlerësuar se "Ne nuk duam të komentojmë mbi pasojat e mundshme të Brexit. Por deri në përfundimin e negociatave të daljes në kuadër të nenit 50 në marrëveshjen e BE-së, Britania do të vazhdojë të qëndrojë si anëtare e BE-së si dhe vazhdon të zbatojë të gjithë rregullat dhe ligjet ekzistuese".
Ndërsa zëdhënësja Andreeva nuk ka konfirmuar pohimet se zyrtarët e BE-së janë mbledhur në kuadër të KE-së dhe se kanë diskutuar "planin e situatës emergjente" në rast të daljes së Britanisë nga BE-ja.
Zëvendësdrejtori i Departamentit të Kërkimeve Ekonomike në Open Europe, Raoul Ruparel ka theksuar se në rast të një vendimi për dalje marrëveshjet do të diskutohen në nene dhe dalja do të realizohet gradualisht.
Ruparel tha se nenet që do të bisedohen në negociatat e ndarjes janë të detyrueshme të pranohen nga Britania. "Nenet e marrëveshjes së BE-së aktivizohen me arritjen e marrëveshjes së daljes. Brenda afatit dy vjeçar të parashikuar ligjet e BE-së vazhdojnë vlefshmërinë për Britaninë. Edhe nëse nga votimet del rezultati për ndarjen e Britanisë vazhdohet mënyra nomale e tregtisë me BE-në. Por BE-ja nuk do të mund të marrë pjesë në vendimet e brendshme ose në bisedimet në lidhje me kushtet e saj të daljes", tha Ruparel.