Aysu Biçer
26 Prill 2022•Përditësim: 27 Prill 2022
Qeveria britanike njoftoi sot heqjen e të gjitha tarifave të përcaktuara nga marrëveshja ekzistuese tregtare Britani-Ukrainë dhe vendosi sanksione të reja ndaj ekonomisë ruse, transmeton Anadolu Agency (AA).
Vendimi erdhi si përgjigje ndaj një kërkese të drejtpërdrejtë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të mbështetur ekonominë ukrainase, tha Sekretarja e Tregtisë Ndërkombëtare e Mbretërisë së Bashkuar Anne-Marie Trevelyan në një deklaratë.
"Heqja e tarifave për eksportet kryesore të Ukrainës, duke përfshirë elbin, mjaltin, domatet e konservuara dhe shpendët, do t'i ndihmojë bizneset dhe prodhuesit ukrainas kur ata kanë më shumë nevojë", vuri në dukje ajo.
Mbretëria e Bashkuar njoftoi gjithashtu një ndalim të eksportit të disa produkteve dhe teknologjisë drejt Rusisë.
"Produktet e synuara mund të përfshijnë pajisje përgjimi dhe monitorimi dhe do të mbyllin çdo boshllëk ekzistues për të siguruar që Rusia nuk i blen këto mallra nga Mbretëria e Bashkuar", tha Trevelyan.
Javën e kaluar, Mbretëria e Bashkuar kishte njoftuar se po rrit sanksionet e saj aktuale tarifore kundër Rusisë duke zgjeruar listën e produkteve që i nënshtrohen ndalimeve të importit dhe tarifave të rritura, duke përfshirë ndalimet e reja për argjendin dhe produktet e drurit dhe tarifat me 35 pikë përqindjeje për mallra si diamantet dhe goma.