Ata Ufuk Şeker
07 shtator 2022•Përditësim: 07 shtator 2022
Ekonomia e Bashkimit Evropian (BE) në tremujorin e dytë të këtij viti shënoi rritje prej 0.7 për qind krahasuar me tremujorin paraprak, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra Evropiane e Statistikave (Eurostat) publikoi të dhënat lidhur me normat e rritjes dhe punësimit të BE-së dhe Eurozonës për tremujorin e dytë të vitit 2022.
Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) me rregullim sezonal tek 19 vendet e Eurozonës u rrit me 0.8 për qind në tremujorin e dytë të 2022 krahasuar me tremujorin e parë.
Në eurozonë, PBB-ja u rrit me 4.1 për qind në tremujorin e dytë të 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
PBB-ja me rregullim sezonal në BE u rrit me 0.7 për qind në tremujorin e dytë krahasuar me tremujorin paraardhës dhe me 4.2 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në parashikimin e mëparshëm të Eurostat-it, në BE pritej rritje prej 0.6 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës dhe katër për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Eurozona shënoi rritje prej 0.6 për qind në krahasim me tremujorin paraardhës dhe me 3.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në tremujorin e dytë, PBB-ja në Spanjë dhe Itali u rrit me 1,1 për qind, në Francë me 0.5 për qind dhe në Gjermani me 0.1 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, norma e rritjes ishte 1.7 për qind në Gjermani, 4.2 për qind në Francë, 4.7 për qind në Itali dhe 6.3 për qind në Spanjë.
Punësimi në BE u rrit për 0.4 për qind në tremujorin e dytë të 2022 krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Punësimi në BE është rritur me 2.4 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Në Eurozonë punësimi është rritur me 0.4 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës dhe për 2.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.