Ekip
27 Prill 2022•Përditësim: 27 Prill 2022
Komisioni Evropian (KE) prezantoi sot një pako të re për të lehtësuar emigracionin legal, duke propozuar, ndër të tjera, thjeshtimin e rregullave të qëndrimit dhe lejeve të punës për punëtorët e kualifikuar, raporton Anadolu Agency (AA).
"Trajtimi i emigracionit nuk ka të bëjë vetëm me kontrollet kufitare, procedurat e azilit dhe kthimin, por edhe me ofrimin e rrugëve ligjore për ata që mund të vijnë të jetojnë dhe të punojnë tek ne ligjërisht", tha në konferencë për media Margaritis Schinas, nënkryetari i Komisionit Evropian.
Ai theksoi se grupi i ri i propozimeve nga organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian (BE) është një kombinim fitues për Unionin, i cili përballet me një "mungesë të madhe" të fuqisë punëtore të kualifikuar, si dhe për ata njerëz që "dëshirojnë të migrojnë për një jetë dhe kushte më të mira”.
"Ne nuk mund t'ia dalim pa emigrimin e punës", tha Schinas, duke shtuar se mundësimi i emigracionit legal është gjithashtu një mënyrë për të luftuar rrjetet kriminale të kontrabandistëve të qenieve njerëzore.
Paketa përmban ndryshime ligjore që do t'i lejojnë aplikantët të aplikojnë për një leje qëndrimi dhe pune të kombinuar në vend të dy procedurave të veçanta.
Drafti do të lejojë gjithashtu aplikime si nga vendet e BE-së ashtu edhe ato jashtë bllokut.
Komisioni Evropian synon gjithashtu të krijojë një platformë të quajtur "EU Talent Pool", e cila do të mundësojë lidhjen e vendeve të BE-së me punëkërkuesit nga vendet që nuk janë anëtare të Unionit.
Eksperimenti do të fillojë në verë me pjesëmarrjen e refugjatëve ukrainas.
BE-ja do të nisë gjithashtu programe që bashkojnë profesionistë shëndetësorë, profesionistë të rinj dhe biznese të reja inovative.
Draftet ende nuk janë miratuar nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të BE-së.