Fatjon Cuka
23 Shtator 2016•Përditësim: 24 Shtator 2016
TIRANË (AA) - Banka e Shqipërisë ka publikuar sot raportin e stabilitetit financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e publikuar sot për raportin e stabilitetit financiar, vlerësohet ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve që burojnë prej ndërveprimit të tij me zhvillimet ekonomike të jashtme, të brendshme, me agjentët e ekonomisë reale, me tregjet financiare në vend, si edhe ndaj rreziqeve që lidhen me mënyrën se si sektori bankar zhvillon veprimtarinë e tij.
Banka e Shqipërisë vlerëson se veprimtaria e sektorit bankar dhe e sistemit financiar në përgjithësi, ka vijuar të jetë e qëndrueshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016. Treguesit kryesorë financiarë të veprimtarisë së sektorit bankar që përfshijnë ata të kapitalizimit, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë, sipas BSH-së evidentojnë kapacitetin e tij të plotë për të përballuar rreziqet e veprimtarisë në kushte normale.
"Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016, zhvillimet ndërkombëtare ekonomike dhe financiare kanë qenë në linjë me pritshmëritë. Politikat stimuluese, veçanërisht në vendet e zhvilluara, kanë mbështetur rritjen e moderuar të ekonomisë botërore. Presionet inflacioniste mbetën të dobëta dhe Banka e Shqipërisë thelloi kahun lehtësues të politikës monetare, duke ulur dy herë normën bazë të interesit me nga 0.25 pikë përqindje, në nivelin 1.25 përqind. Politika fiskale, ruajti prirjen e saj konsoliduese nëpërmjet rritjes së të ardhurave dhe uljes së shpenzimeve buxhetore. Në tregun financiar në vend, normat e interesit të produkteve financiare në lekë kanë shënuar rënie gjatë periudhës, ndikuar nga veprimet e politikës monetare dhe fiskale. Tregu i këmbimeve valutore ka reflektuar zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe leku ka shënuar një mbiçmim të lehtë ndaj valutave kryesore", thuhet ndër të tjera në këtë raport.
Sipas këtij raporti, zhvillimet ekonomike në Shqipëri ishin pozitive gjatë periudhës gjashtëmujore, ndërsa theksohet se rritja ekonomike, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme, u përshpejtua gjatë tremujorit të parë të vitit në 2.96 përqind (rritje vjetore) dhe treguesit e punësimit u përmirësuan.