Michael Gabriel Hernandez
27 Gusht 2020•Përditësim: 27 Gusht 2020
Jacob Blake, personi 29-vjeçar me ngjyrë u ka thënë hetuesve se ka patur një thikë kur u qëllua disa herë në shpinë nga një polic i bardhë gjatë fundjavës në Wisconsin të SHBA-ve, bëri të ditur sot Departamenti i Drejtësisë i shtetit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të përditësuar për të shtënat, e cila ka ndezur demonstrata masive kundër pabarazisë racore në sistemin e drejtësisë penale të Amerikës, Departamenti i Drejtësisë në Wisconsin tha se Blake "pranoi se ka patur një thikë në posedim të tij".
Hetuesit e Departamentit "zbuluan një thikë poshtë dyshemesë së shoferit të automjetit të Blake", thuhet në deklaratën që vuri në dukje se nuk u gjetën armë të tjera.
Pamjet nga të shtënat mbi Blake kanë bërë që Kenosha, Wisconsin të jetë pika e fundit kryesore në luftën e vazhdueshme të SHBA-ve me padrejtësinë raciale.
Në një video që ka qarkulluar në mediat sociale duket se Blake po largohet nga policia teksa përpiqen ta kapin atë me armë të drejtuara. Ata hapën zjarr pasi Blake hapi derën anësore të shoferit dhe filloi të hyjë në automjet me shpinë të kthyer përballë dy policëve.
Blake mbetet në një spital lokal ku po kurohet nga plagët e tij. Familja dhe avokatët e tij kanë thënë se ai tani është i paralizuar nga beli poshtë dhe ka shumë pak gjasa që të mund të ecë përsëri.
Departamenti i Drejtësisë në Wisconsin identifikoi policin si Rusten Sheskey. Veterani shtatëvjeçar i zbatimit të ligjit shkrepi të shtatë plumbat, thuhet më tej.
Departamenti pritet të dorëzojë tek prokurorët një raport brenda 30 ditëve me gjetjet e tij mbi të shtënat, të cilët do të rekomandojnë ose refuzojnë akuzat kundër policëve të përfshirë.
Kenosha ka regjistruar katër mbrëmje demonstrata pas të shtënave ndaj Blake, që janë shpërndarë në skena shkatërrimi të pasurisë dhe dhunës.
Të martën mbrëma, së paku një person i armatosur hapi zjarr ndaj demonstruesve, duke vrarë dy dhe plagosur një tjetër.
Policia në Antioch fqinje, Illinois njoftoi se kanë marrë në arrest të dyshuarin 17-vjeçar, Kyle Rittenhouse. Banori i Antioch është akuzuar për vrasje me dashje të shkallës së parë dhe mbahet në pritje të një seance ekstradimi që do ta dërgonte atë në Wisconsin për t'u përballur me gjyqin.
Antioch është afërsisht 20 milje (32 kilometra) nga Kenosha.
Arrestimi i Rittenhouse vjen pasi një person që mund të ketë qëlluar një ose të gjitha viktimat u shfaq në pamjet e celularit që ka qarkulluar në mediat sociale.