Ekip
01 Shtator 2020•Përditësim: 01 Shtator 2020
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka mbrojtur sulmuesin 17-vjeçar, Kyle Rittenhouse, i cili qëlloi dhe vrau dy protestues në Kenosha, Wisconsin javën e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kur Trump u pyet të hënën në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë nëse ai mbronte veprimet e vullnetarëve si Rittenhouse, ai tha se adoleshenti ishte "sulmuar dhunshëm", duke sugjeruar se Rittenhouse ka vepruar në vetëmbrojtje.
“Kjo është një situatë interesante. Ju patë të njëjtat pamje siç pashë unë dhe ai po përpiqej të largohej prej tyre, me sa duket, dhe ai ra dhe pastaj ata e sulmuan atë dhunshëm dhe është diçka që ne po e shikojmë tani dhe është nën hetim”, tha Trump. “Mendoj se ishte në telashe shumë të mëdha. Ai ndoshta do të ishte vrarë”, shtoi ai.
Rittenhouse, i cili idolizonte policinë, thuhet se mbështet lëvizjen pro-policore Blue Lives Matter ndërsa është akuzuar për dy akuza për vrasje dhe një akuzë për vrasje në tentativë pasi qëlloi 3 protestues në Kenosha më 25 gusht, duke vrarë 2 prej tyre, i cili krijoi kaos në rrugët e qytetit që kishte kaluar ditë duke protestuar ndaj padrejtësisë racore dhe dhunës policore pasi Jacob Blake, një person me ngjyrë, u qëllua në shpinë 7 herë nga një polic i bardhë.
Avokatët e mbrojtjes së Rittenhouse theksuan se ai veproi në vetëmbrojtje, por një ankesë e ngritur nga prokurorët e qarkut Kenosha tha se ai hapi zjarr ndaj protestuesve të paarmatosur.
Videot e asaj dite tregojnë Rittenhouse duke vrapuar nga skena pasi qëlloi me armë dhe vrau viktimën e tij të parë.
Konferenca për media e Trumpit erdhi disa orë pasi i nominuari për president i Partisë Demokratike, Joe Biden akuzoi Trumpin për nxitje të dhunës në protestat e fundit.
Gjatë konferencës për media, Trump njoftoi se nuk po planifikon të anulojë vizitën e tij në Kenosha të martën, duke injoruar guvernatorin e Wisconsin-it, Tony Evers, i cili në një letër të dielën i tha Trumpit të anulonte udhëtimin, duke thënë se prania e presidentit "vetëm do të anulojë punën tonë për të kapërcyer mosmarrëveshjet dhe të ecin përpara së bashku".
Trump po ashtu tha se nuk do të takojë familjen e Blake gjatë vizitës së tij në Wisconsin sepse do të ishte "e papërshtatshme" të fliste me avokatët e familjes.
"Mendoj se do të ishte më mirë të mos bëja asgjë aty ku ka avokatë të përfshirë", tha ai.
"Ata donin që unë të flas por ata donin të kishin avokatë të përfshirë dhe mendova se ishte e papërshtatshme, kështu që unë nuk e bëra atë", tha presidenti amerikan.
Trump është planifikuar të takohet me zbatuesit e ligjit dhe pronarët e bizneseve në Kenosha.