Behlül Çetinkaya
31 tetor 2019•Përditësim: 01 nëntor 2019
Të paktën 73 persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur pasi tre vagonët e një treni janë përfshirë nga zjarri pas një shpërthimi që ka ndodhur pranë rajonit Liyakatpur në Pakistan, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Hekurudhave të Pakistanit, Sheikh Rasheed Ahmad, në një deklaratë njoftoi se treni ekspres Tezgram që udhëtonte nga pjesa jugore e Karaçit për në veri të rajonit Rawalpindi është përfshirë nga zjarri pas një shpërthimi të ndodhur në afërsi të rajonit Liyakatpur të qytetit Rahim Yar Khan.
Ahmad ka vënë në dukje se zjarri është shkaktuar nga shpërthimi i dy bombolave të vogla të cilat janë të njohura si "bombola gazi për kamping" me të cilët udhëtarët i mbajnë pranë për të përgatitur mëngjesin. Disa nga njerëzit në tren kanë humbur jetën pasi janë hedhur nga treni duke shkaktuar panik pas shpërthimit dhe gjatë zjarrit.
Ai shtoi se dy nga tre vagonët ishin të klasës ekonomike dhe një i klasit të parë.
- Numri i të vdekurve është rritur në 73
Sipas pamjeve që qarkullojnë në mediat pakistaneze, përveç bombolave të gazit për kamping mund të vërehen edhe bombola të madhe gazi që përdoret për kuzhinë, gjë e cila mund të ketë shkaktuar shpërthime tjera.
Ministri i Shëndetësisë i Shtetit Punjab, Yasmin Rashid, tha se pas punimeve të shuarjes dhe ftohjes së vagonëve numri i të vdekurve është rritur në 73, numër i cili më parë ishte njoftuar se është 65. Ndërkohë edhe mbi 40 të tjerë janë të plagosur.
Ai shtoi se në vagonët e djegur ka pasur gjithsej 200 persona.
Ndërsa kryetari i njësisë së kërkim shpëtimit në Rahim Yar Khan, Baqir Husain, ka bërë të ditur se në mesin e të vdekurve dhe plagosurve ka të djegur pjesërisht dhe plotësisht, ku dhe një pjesë e personave që kanë humbur jetën janë të pa identifikueshëm të cilët do t’i nënshtrohen testit të ADN-së për identifikim.
Zyrtarët e hekurudhave në median lokale kanë njoftuar se bombolat e gazit për kamping janë të ndaluara dhe se janë futur në tren në mënyrë të fshehtë.
Në anën tjetër edhe ushtria e Pakistanit ka dërguar mjekët e saj në rajon dhe në vendin e ngjarjes për mbështetje në trajtimin e personave. Ushtria ka bërë të ditur se ka dërguar edhe helikopterë ambulancë për të transferuar të dëmtuarit kritikë në spitale të tjerë.
- Kryeministri i Pakistanit urdhëron nisjen e hetimeve
Pas shpërthimeve janë bërë deklarata nga presidenti dhe kryeministri i Pakistanit.
Presidenti Afir Alvi në një deklaratë në rrjetin social ka shprehur keqardhjen e thellë dhe ngushëllime për familjarët që kanë humbur të afërmit e tyre.
Ndërsa edhe kryeministri pakistanez, Imran Khan, duke bërë deklarata të ngjashme ka theksuar se ka urdhëruar fillimin e një hetimi të shpejtë lidhur me ngjarjen.