Halil Silahşör
30 Korrik 2019•Përditësim: 31 Korrik 2019
Procesi për zgjedhjet presidenciale në Afganistan ka filluar nën hijen e sulmeve ajrore të forcave të huaja dhe sulmeve terroriste të organizatës së talebanëve, shkruan Anadolu Agency (AA).
Votuesit afganë më 28 shtator do të votojnë për herë të katërt në zgjedhjet presidenciale, pasi talebanët humbën pushtetin në vitin 2001.
Sipas njoftimit të Komisionit Zgjedhor në vend, fushata zgjedhore do të zgjasë rreth 60 ditë, ndërsa do të garojnë 18 kandidatë.
Mes kandidatëve është edhe presidenti aktual Ashraf Ghani dhe shefi ekzekutiv i Afganistanit, Dr. Abdullah Abdullah. Ndërkaq, kandidatë të tjerë ambiciozë janë lideri i Hizb-i Islam dhe ish-kryeministri i vendit, Gulbeddin Hikmetyar, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare Muhammed Hanif Etmer dhe Rahmetullah Nebil.
Edhe pse disa nga kandidatët kanë shqëtësime se Ghani do të përfitojë nga mundësia e Zyrës Presidenciale gjatë punimeve për zgjedhjet, përkrahësit e tij theksojnë se do të garojnë brenda kufijve të caktuar sipas ligjeve të vendit.
- Problemi i sigurisë në zgjedhje
Përderisa kandidatët përgatiten për zgjedhjet, rreth gjysma nga gjithsej 34 provinca të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin Kabulin, janë të ekspozuar ndaj sulmeve terroriste, sulmeve të talebanëve dhe sulmeve ajrore të forcave të huaja.
Përfaqësuesit e talebanëve, të cilët nga njëra anë janë duke zhvilluar në Katar bisedime paqësore me SHBA-të, nga ana tjetër kërcënohen se do të transferojnë sulmet në qytete të ndryshme të vendit. Gjithashtu është çështje kurioziteti se çfarë bisedimesh do të zhvillojnë përfaqësuesit e tjerë me Afganistanin.
- Buxheti zgjedhor 149 milionë dollarë
Në zgjedhjet presidenciale pritet që të drejtë vote të kenë 9 milionë e 678 mijë e 283 votues, ndëra buxheti i zgjedhjeve është 149 milionë dollarë. 90 milionë dollarë ose 60 për qind e kësaj shume do ta sigurojë administrata në Kabul, 59 milionë dollarë organizatat e bashkësisë ndërkombëtare, si dhe 29 milionë dollarë nga SHBA-të.
Komisioni zgjedhor njoftoi se kufiri i sipërm i shpenzimeve gjatë fushatës zgjedhore për çdo kandidat është 442 milionë Afgani (rreth 5 milionë dollarë). Nëse shpenzohet më shumë se kjo shumë, kjo do të vlerësohet si shkelje e ligjeve.
Në zgjedhjet e kaluara, ky numër ishte 10 milionë Afgani (rreth 125 mijë dollarë). Në këto zgjedhje, buxheti për çdo kandidat u rrit për 40 herë më shumë. Të gjitha kostot e propagandës zgjedhore duhet të mbulohen nga kandidatët, nd|ersa shpenzimet që do të bëhen pritet të ringjallin tregun.
- Shqetësime në lidhje me vendet e votimit
Në mbarë vendin planifikohet që në 7.383 qendra të vendoset kuti votimi, kurse shteti afgan njoftoi se vetëm për 5.388 prej tyre mund të ofrojë siguri. Në rreth 2 mijë qendra mendohet se nuk do të mund të votohet për shkak të kërcënimit të strukturave të armatosura si talebanët.
Ministria e Mbrojtjes së Afganistanit njoftoi se në mbarë vendin do të sigurojë 50 mijë punonjës të sigurisë.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014, pretendimet për mashtrime ishin tema kryesore, gjë e cila shkaktoi themelimin e Qeverisë së Unitetit Kombëtar. Gjithashtu, edhe zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar janë zhvilluar nën hijen e problemeve teknike. Rezultatet ishin shpallur pas 7 muajve.
Pjesëmarrja e popullit në zgjedhje pritet të përcaktojë fatin e vendit, pavarësisht presionit nga talebanët.