Ekip
06 prill 2022•Përditësim: 06 prill 2022
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy iu adresua parlamentit irlandez, ku akuzoi Rusinë për goditjen e sektorit bujqësor të Ukrainës dhe përdorimin e urisë si armë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Depoja jonë e re e magazinimit të karburantit u godit nga Rusia", tha Zelenskyy në fjalimin e tij, duke shtuar: "Ata po shkatërrojnë gjërat që sigurojnë jetesën për njerëzit: depo të karburantit, ushqimit, pajisjet bujqësore, fushat e minierave".
Ukraina është ndër eksportuesit kryesorë të produkteve ushqimore si gruri, misri dhe vaji i lulediellit.
"Kanë bllokuar gjithashtu të gjitha portet tona detare bashkë me mjetet lundruese që kishin mallra bujqësore për eksport. Pse po e bëjnë këtë? Për ta, uria është gjithashtu një armë, një armë kundër njerëzve tanë të zakonshëm, një instrument dominimi", theksoi Zelenskyy.
Presidenti Zelenskyy tha se Ukraina ishte një nga vendet kryesore të furnizimit me ushqim në botë dhe se "dhjetëra vende do të kenë mungesa dhe ky është realiteti për miliona njerëz që janë të uritur, veçanërisht në Afrikën veriore".
Kreu i shtetit ukrainas tha se Rusia po shkatërron infrastrukturën e shtetit ukrainas dhe po provokon "qëllimisht" një rritje të çmimit të ushqimit.
"Do të ketë turbulenca politike dhe dhunë dhe refugjatët e rinj do të kërkojnë të shpëtojnë jetën e tyre", tha ai.
Zelenskyy bëri thirrje për sanksione të mëtejshme kundër Rusisë dhe tha: "Ata ende shpresojnë të nënshtrojnë dhe pushtojnë të gjithë popullin ukrainas, ne duam të bëjmë çmos për t'u siguruar që Rusia do të fillojë të kërkojë paqen dhe të na lërë të qetë".
Lufta Rusi-Ukrainë, që filloi më 24 shkurt, ka tërhequr zemërim ndërkombëtar, me ndër të tjera Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.480 civilë kanë humbur jetën dhe rreth 2.200 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, megjithëse shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 4,2 milionë ukrainas gjithashtu kanë ikur jashtë vendit, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.