Recep Şakar
27 Gusht 2021•Përditësim: 28 Gusht 2021
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern tha se avioni i Forcave të Mbrojtjes të Zelandës së Re, i cili kreu evakuime nga kryeqyteti i Afganistanit, Kabul, përfundoi fluturimin e tij të fundit para sulmit terrorist në Aeroportin "Hamid Karzai", transmeton Anadolu Agency (AA).
Ardern në faqen zyrtare të kryeministrisë bëri një deklaratë në lidhje me evakuimet e vendit të saj nga Kabuli si dhe rreth sulmit terrorist në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit "Hamid Karzai".
Duke theksuar se fluturimet e tyre të evakuimit nga Afganistani kanë përfunduar, Ardern tha se avioni transportues i (NZDF) C-130 Hercules, u ul në Emiratet e Bashkuara Arabe bashkë me personelin dhe pasagjerët e tij.
Ardern theksoi se nuk kishte personel të NZDF-së në aeroportin e Kabulit kur ndodhi sulmit terrorist dhe se të gjithë u larguan nga Afganistani të sigurt në fluturimin e fundit.
- Ardern dënoi sulmin terrorist në Afganistan
Ardern shprehu ngushëllimet e saj për familjet e atyre që humbën jetën në sulmin terrorist, ushtarëve amerikanë dhe partnerët tjerë, familjet e të gjithë atyre që u prekën nga sulmi dhe familjet e atyre që humbën jetën në Afganistan. Ajo tha se është afër dhe i mbështet të plagosurit në sulm.
"Ne dënojmë fuqishëm sulmin e poshtër mbi shumë familje dhe individë të pafajshëm që kërkojnë vetëm siguri në situatën tepër të vështirë dhe të brishtë në Afganistan", tha Ardern.
Avioni transportues i NZDF-së, i cili ishte caktuar për të evakuuar qytetarët e Zelandës së Re dhe afganët me viza në Afganistan, në 3 fluturime nga Kabuli kishte evakuuar qindra persona ku u dërguan në Zelandën e Re dhe në Australi.
Zelanda e Re para majit tërhoqi trupat e saj, të cilët kishin shërbyer në Afganistan për gati 20 vjet.