Ekip
21 Mars 2019•Përditësim: 21 Mars 2019
Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Human Rights Watch (HRW) ka kërkuar nga qeveritë e Mianmarit dhe Kinës që të përkushtojnë më shumë vëmendje ndaj trafikimit ndërkufitar të “nuseve”, transmeton Anadolu Agemcy (AA).
Në një raport të publikuar që mban titullin “Na jep neve një foshnje dhe ne do t’ju lirojmë: Trafikimi i ‘nuseve’ të Kachin-it nga Mianmari në Kinë”, organizata në detaje sqaron trafikimin e grave dhe vajzave nga shtetet Kachin dhe Shan në veri, respektivisht verilindje të Mianmarit për skllavëri seksuale në Kinë.
Në mesin e 37 të mbijetuarve, HRW në raport ka intervistuar një grua të etnisë Kachin e cila ishte vetëm 16 vjeç kur u trafikua nga kunata e saj për një familje kineze.
Ajo u përdhunua disa herë përderisa familja që e bleu për dy muaj e ka mbajtur në një dhomë të mbyllur.
Pas dy muajsh, ajo u nxor nga dhoma dhe u informua se tani ishte fejuar me një burrë kinez, i cili e përdhunoi gjatë një muaji sa e mbajti të robëruar.
“Babai i burrit kinez tha ‘ja ku e ke burrin, tani jeni një çift i martuar’ ”, tha 21-vjeçarja e intervistuar.
Raporti citon të mbijetuarit e trafikimit të kenë thënë se njerëz të besuar u kanë premtuar punë në Kinë, por në vend të kësaj i kanë shitur tek familjet kineze për një vlerë prej 3.000 deri 13.000 dollarë.
Është e zakonshme që gratë të mbyllen në dhomë dhe të përdhunohen në mënyrë që të mbesin shtatzëna, thuhet gjithashtu në raport.
“Autoritetet e Mianmarit dhe Kinës anashkalojnë këtë problem përderisa trafikantë të paskrupullt po shesin gratë dhe vajzat nga Kachin për robëri dhe abuzim të papërshkrueshëm”, tha Heather Barr, drejtoresha për të drejtat e grave nga HRW.
Ajo tha se politika kineze për të lejuar lindjen e vetëm një fëmije ka krijuar një disbalancë gjinore në vend, pasi tani “mungojnë” 30 deri në 40 milionë gra.
“Disa familje përballen me mungesën e grave për martesë duke blerë gra apo vajza të trafikuara”, tha Barr.
Në raportin e HRW-së thuhet se është vështirë të përllogaritet numri i grave dhe vajzave që po trafikohen si nuse në Kinë. Sipas qeverisë së Mianmarit, 226 raste janë raportuar në vitin 2017, por numri i vërtetë besohet se është shumë më i lartë.
Mbikëqyrësit kërkojnë nga qeveritë e Kinës dhe Mianmarit, si dhe disa grupeve rebele etnike si Organizata për Pavarësi të Kachin-it, të bëjnë më shumë për të parandaluar trafikimin dhe për ndihmën e viktimave dhe përndjekjen e trafikantëve.