Seda Sevencan
25 Shkurt 2022•Përditësim: 25 Shkurt 2022
Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë bërë të ditur se fusha ajrore strategjike ‘Gostomel’ jashtë Kievit është nën kontrollin e ushtrisë ukrainase, pas sulmeve nga forcat ruse, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Një grup tjetër taktik i forcave të mbrojtjes po mban aeroportin ‘Gostomel’, ku trupat ajrore ruse u vërsulen dje", njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Duke dhënë përditësime mbi situatën, ushtria tha se mbrëmë forcat e mbrojtjes vazhduan t’i rezistojnë një "grupi sulmues të pushtuesve rusë".
Në njoftimin e ushtrisë ukrainase po ashtu theksohet se trupat ruse kryen një sulm ajror mbi njësitë në qytetin Kropyvnytskyi dhe se u panë mbi qytetet Vilkovo dhe Tiraspol.
"Trupat ukrainase po luftojnë me forcat ruse në vendbanimet Dymer dhe Ivankov, si dhe arritën të kontrollojnë forcat ruse në lumin Teteriv. Ura përtej lumit u shkatërrua", tha ushtria, duke shtuar se në ndërkohë forca ajrore ukrainase po mbron qiejt.
Duke sfiduar kërcënimet e sanksioneve nga Perëndimi, Moska në fillim të kësaj jave njohu zyrtarisht si vende të pavarura rajonet e Ukrainës lindore, Donetsk dhe Luhansk, pas çka dje nisi një operacion ushtarak në Ukrainë.
Tensionet filluan të përshkallëzohen në fund të vitit të kaluar kur Ukraina, SHBA dhe aleatët e saj akuzuan Rusinë për grumbullimin e dhjetëra mijëra trupave në kufirin me Ukrainën.
Ata theksuan se Rusia po përgatitej të pushtojë fqinjit e saj perëndimor, akuza që vazhdimisht u refuzuan nga Moska.