Qëllimi i lëvizjes së ushtrisë libiane dejt Gjirit strategjik të Sirtes është të pastrojë rajonin e Gjysmëhënës së Naftës, që ndodhet midis Sidres dhe Benghazit, nga militantët e komandantit renegat Khalifa Haftar dhe të ringjallë ekonominë libiane, tha Mesut Hakkı Caşın, profesor i shkencave juridike në Universitetin Yeditepe të Stambollit.
Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Caşın vlerësoi mënyrën për arritjen e sigurisë në fushat e naftës dhe gazit në Libi të okupuara nga komandanti renegat Khalifa Haftar pasi ushtria libiane të marrë kontrollin.
"Qëllimi kryesor i ushtrisë libiane që lëviz përgjatë trekëndëshit Mistara, al-Qaryah dhe Murzuq është të arrijë sigurinë e puseve të naftës dhe tubacioneve në Sirte, Ajdabiye dhe Benghazi, qytetet që ndodhen në brigjet e Mesdheut", tha Caşın.
Kjo lëvizje drejt fushave të naftës e ka shokuar Haftarin, i cili ka kryer sulme ndaj qeverisë së njohur ndërkombëtarisht në Tripoli dhe pjesëve perëndimore të vendit.
Caşın konsideron se ndikimi i Haftarit po zvogëlohet. Ai shpjegoi se Haftar është ankuar për vendet që i kanë premtuar mbështetje, por nuk e kanë realizuar.
"Haftar do të eliminohet së shpejti nga ekuacioni në Libi", tha ai.
- Ankaraja është e gatshme të sigurojë energjinë libiane
Caşın theksoi se Ankaraja do të vazhdojë mbështetjen e saj për mbrojtjen e fushave të naftës, tubacioneve, rafinerive dhe porteve të çliruara nga ushtria libiane nga Haftari.
Turqia ka luajtur një rol të rëndësishëm në tërheqjen e milicëve besnikë të Haftarit, përmes mbështetjes nga forcat ajrore, tokësore dhe detare, dhe vendosjen efektive të dronëve, me çka forcat jolegjitime të Haftarit kanë braktisur pozicionet e tyre.
"Ankaraja është e gatshme të sigurojë zonat e energjisë në Libi përmes operacioneve ajrore dhe detare. Kështu, mbrojtja dhe siguria në Sirte dhe Terhune do të garantohen nga mbështetja e Turqisë", shtoi Caşın.
Marrëdhëniet e Ankarasë dhe Libisë u forcuan tutje përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje të zonës ekonomike ekskluzive midis Turqisë dhe Libisë në nëntor të vitit të kaluar. Kjo marrëveshje do të garantojë sigurimin e këshillave ushtarake dhe miratimin e juridiksioneve të ndërsjella detare bazuar në të drejtën ndërkombëtare.
"Marrëdhënia fitimprurëse midis Ankarasë dhe Tripolit ka nxjerrë në pah shkeljet e Izraelit dhe Egjiptit mbi juridiksionet detare të Libisë", tha Caşın.
Ai vuri në dukje se Izraeli po kërkon të rifillojë negociatat me Ankaranë për shitjen e gazit të tij në tregjet evropiane përmes Turqisë, pas rënies së projektit të energjisë së Mesdheut Lindor të Athinës që synonte të eliminojë Ankaranë në rajon.
"Libia ishte një portë në Detin Mesdhe për Perandorinë Osmane. Sot, Turqia është çelësi i kësaj porte dhe do të hapë përsëri portën drejt detit", u shpreh ai.
Sipas Caşın, takimi i organizuar nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri libian Fayez al-Sarraj në Ankara paraqet një shteg drejt normalizimit, nga i cili firmat turke do të jenë në gjendje të zhvillojnë projekte në Libi, duke përfshirë energjinë, infrastrukturën, arsimin dhe zhvillimin ekonomik.
- Bllokada e Haftarit mbi ekonominë libiane
Libia ka rezervat më të mëdha të dëshmuara të naftës së papërpunuar në Afrikë, me 48,4 miliardë fuçi, dhe të ardhura nga gazi natyror dhe nafta që përfaqësojnë afërsisht 90 për qind të të ardhurave të qeverisë.
Që nga viti 2014, milicitë e Haftarit kanë shënjestruar fushat e naftës, të cilat përfaqësojnë thelbin e ekonomisë libiane.
Abdennur Toumi, një ekspert për Afrikën e Veriut në Qendrën për Studime të Lindjes së Mesme, thotë se për shkak të strategjisë së Haftarit, rajoni i Gjysmëhënës së Naftës, nga ku eksportohen 60 për qind e hidrokarbureve, është bërë pasiv.
Në epokën e Gaddafit, nafta mbizotëroi në sektorin masiv publik si burim kryesor i të ardhurave, që gjeneroi miliona për libianët, por e bëri atë një ekonomi të shtetit të mirëqenies, tha ai.
Libia prodhonte rreth 1,6 milion fuçi në ditë dhe eksportonte kryesisht në Itali, Francë, Spanjë dhe Gjermani. Megjithatë, ekonomia libiane ka përjetuar një rënie të konsiderueshme për shkak të trazirave politike dhe një rënie përkatëse të prodhimit në fushat e naftës nën kontrollin e forcave të Haftarit.
Megjithatë, Toumi pranon se nëse ushtria libiane merr kontrollin e plotë në Sirte, kjo do të ndryshojë lojën në dinamikën e konflikteve.
Toumi theksoi se boshti Abu Dabi-Paris, dy përkrahësit kryesorë të Haftarit, do të vazhdojnë të pengojnë një zgjidhje politike në Libi përmes përpjekjeve të tyre për të eksportuar naftën libiane në mënyrë të paligjshme.
"Siç raportohet, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë zhvilluar negociata sekrete me Haftarin në përpjekje për eksportimin e naftës libiane përmes kanaleve jashtë eksportuesit të vetëm të aprovuar nga Kombet e Bashkuara (OKB), Korporatës Kombëtare të Naftës", shprehet ai.
Sipas një raporti të OKB-së, EBA dhe Haftar kanë shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të OKB-së që ndalojnë çdo eksport të naftës libiane jashtë Korporatës Kombëtare.
Toumi sugjeron që Ankaraja të sigurojë më shumë burime, përfshirë operacionet e eksplorimit dhe shpimit për të rritur prodhimin e naftës në vend, me çka do të forcohen marrëdhëniet midis Tripolit dhe Ankarasë dhe do të mundësohet që Turqia të ketë një prani të qëndrueshme në rajon, pas afrimit të ri turko-algjerian për të mbështetur Libinë, që u intensifikua këtë vit.
- Shumica e rezervave të naftës në Libi kanë mbetur të pashfrytëzuara
Deri në vitin 2014, vendi i Afrikës së Veriut në brigjet e Detit Mesdhe renditej në mesin e 20 vendeve të para në botë për prodhimin e naftës.
Për shkak të mbylljes së puseve të naftës dhe kufizimeve të vendosura nga grupet e armatosura pro-Haftarit, ekonomia libiane pësoi një humbje prej 5 miliardë dollarësh në janar të vitit 2020.
Në periudhën 2016-2019, vendi kishte humbur më shumë se 100 miliardë dollarë, pasi Ibrahim Jadhran, një aleat i Haftarit, ndërpreu punimet për nxjerrjen e naftës në lindje të vendit.
Jadhran ka formuar një grup të quajtur "Roja e Naftës" për të parandaluar lëvizjen e produkteve të naftës nga fushat e naftës.
Gjersa institucionet ndërkombëtare të energjisë thonë se shumica e rezervave të naftës në Libi kanë mbetur të pashfrytëzuara, konflikti ka goditur edhe nxjerrjen e naftës nga burimet ekzistuese.
Objektet më të mëdha të naftës dhe gazit në vend, si Sidra, Ra's Lanuf, Brega dhe Zueitine, ndodhen në lindjen e shkatërruar nga lufta në Libi në vijën bregdetare të Mesdheut.
news_share_descriptionsubscription_contact
