Ekip
04 Qershor 2020•Përditësim: 04 Qershor 2020
Pas rimarrjes së aeroportit kryesor të vendit, Ushtria e Libisë sot njoftoi çlirimin e plotë të kryeqytetit Tripoli, ndërsa forcat e saj lëvizin në një qytet tjetër në juglindje, fortesa e fundit e kryekomandatit Khalifa Haftar në perëndim të Libisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Tripoli është çliruar dhe siguruar plotësisht dhe kemi arritur në kufijtë administrativ të qytetit Tarhuna, në juglindje të kryeqytetit", tha Mustafa al-Majei, zëdhënësi i operacionit Burkan al-Ghadab (Vullkani i Tërbimit).
Al-Majei konfirmoi se ushtria libiane ka hyrë në zonën Fam Malgha të Turhuna, 90 kilometra nga Tripoli.
"Automjetet ushtarake të milicisë së puçistit Khalifa Haftar janë parë duke u tërhequr nga Tarhuna drejt qytetit Bani Walid", 180 kilometra në juglindje të Tripolit, shtoi al-Majei.
Ushtria libiane e qeverisë së njohur nga OKB-ja të mërkurën arriti të rimarrë aeroportin e Tripolit nga milicitë e Haftarit.
Në mars, qeveria libiane nisi operacionin "Stuhia e Paqes" për të kundërshtuar sulmet mbi kryeqytetin dhe kohën e fundit rimori vendet strategjike, përfshirë bazën ajrore Al-Watiya, një goditje e madhe për forcat e Haftarit.
Qeveria e Libisë u themelua në vitin 2015 pas një marrëveshjeje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjate dështuan për shkak të ofensivës ushtarake nga forcat e Haftarit.