Gözde Bayar
07 Qershor 2020•Përditësim: 08 Qershor 2020
Të paktën dhjetë pjestarë të milicisë të komandantit renegat Khalifa Haftar u neutralizuan të dielën në sulmet ajrore të ushtrisë libiane, sipas një zyrtari, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi ushtarak Muhammed Kununu tha se forcat qeveritare shkatërruan një top, një automjet të blinduar dhe dy automjete të armatosura gjatë tre sulmeve ajrore në Sirte.
Ushtria më herët të shtunën filloi një operacion ushtarak, të emëruar si "Rruga e Fitores", për çlirimin e Sirtes, Jufra-s dhe qytezave Wadi Wishka, Buerat, Jarif dhe Qasr Abu Haid nga forcat e Haftarit.
Ushtria gjithashtu çliroi zonën Wadi Wishka afër qytetit lindor të Sirtes të shtunën.
Kjo fitore erdhi një ditë pas çlirimit të qytetit strategjik Tarhuna, fortesa e fundit e Haftarit në Libinë perëndimore.
Qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Libisë ka qenë nën sulm nga forcat e Haftar që nga prilli i vitit 2019 dhe më shumë se 1.000 njerëz janë të vrarë nga dhuna.
Qeveria nisi operacionin "Stuhia e Paqes" në mars si kundërpërgjigje ndaj sulmeve mbi kryeqytetin dhe së fundmi ka rimarrë vendet strategjike, përfshirë bazën ajrore Al-Watiya dhe Tarhuna.