Ekip
05 Prill 2019•Përditësim: 06 Prill 2019
Qeveria e mbështetur nga Kombet e Bashkuara (OKB) në Libi rifitoi sot një pikë kontrolli strategjik në afërsi të Tripolit pak pasi u pushtua nga forcat besnike të komandantit ushtarak Khalifa Haftar, tha një burim sigurie për Anadolu Agency (AA).
"Forcat qeveritare kanë rimarrë Portën e Sigurisë 27 (në perëndim të kryeqytetit), ku arritën të kapin 20 persona ushtarakë të Haftarit", tha një burim i Gardës Presidenciale të qeverisë për AA në kushte anonimiteti.
Qeveria rivale në qytetin lindor të Libisë, Al-Bayda, e lidhur me komandantin Haftar, ende nuk i ka komentuar pohimet e burimit.
Ndërkohë, aktivistët libianë kanë shpërndarë fotografi në internet për të treguar kapjen e ushtarëve të Haftarit nga forcat besnike të qeverisë së Tripolit.
Haftar dje njoftoi nisjen e një sulmi për marrjen e kontrollit mbi qytetin e Tripolit, duke pohuar se dëgjon thirrjet e popullatës.
Të mërkurën, Fayez al-Sarraj, kreu i qeverisë me bazë në Tripoli, urdhëroi forcat e sigurisë të qeverisë të "përgatiten dhe t'i përgjigjen çdo kërcënimi që synon destabilizimin e rajonit".
Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e mbështetur nga NATO-ja çoi në rrëzimin dhe vdekjen e presidentit Muamar Gadafi pas katër dekadash në pushtet.
Që atëherë, ndarjet politike në vend kanë shkaktuar ndarjen e pushtetit, një në qytetin lindor të Al-Bayda, me të cilën Haftar është i lidhur, dhe qeveria e mbështetur nga OKB-ja në Tripoli.