Ekip
19 Qershor 2023•Përditësim: 20 Qershor 2023
Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, deklaroi se është rritur në 8 numri i vendbanimeve të çliruara në operacionin kundërofensiv në frontin jugor, i cili po vazhdon prej dy javësh, transmeton Anadolu.
Maliar, në një deklaratë në rrjetet sociale, deklaroi se ushtria ukrainase ka kryer operacione sulmuese dhe mbrojtëse javën e fundit.
Ajo tha se rusët kanë vendosur trupa shtesë në lindje për të ndaluar përparimin e trupave ukrainase në drejtim të qytetit Bakhmut.
“Intensiteti i përleshjeve në këtë drejtim u ul javën e kaluar, por përleshjet vazhduan. Gjithsej 41 përleshje u zhvilluan dhe trupat tona bënë përparim në disa zona”, është shprehur ajo.
Maliar vuri në dukje se ushtria ruse vazhdoi sulmet e saj në drejtimet e qyteteve Lyman, Kupyansk, Avdiyivka dhe Marinka javën e kaluar, duke shtuar se nuk e kanë humbur pozicionin e tyre në këto rajone.
Sipas saj, kundërofensiva tashmë një javë po zhvillohet në më shumë drejtime.
“Gjatë operacioneve ofensive në drejtimet Berdyansk dhe Melitopol, të cilat po vazhdojnë për dy javë, forcat mbrojtëse të Tavrias kanë çliruar gjithsej 8 vendbanime, edhe atë: Novodarivka, Levadne, Storojeve, Makarivka, Blagodatne, Lobkove, Neskuchne, Pyatihatki. Trupat tona kanë përparuar deri në 7 kilometra. Sipërfaqja e tokës së çliruar është 113 kilometra katrorë”, deklaroi zyrtarja ukrainase.
“Trupat ukrainase goditën 2 qendra komanduese të rusëve”
Ndërkohë, në një deklaratë të Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës në llogarinë zyrtare në rrjetet sociale, thuhet se rusët kanë kryer 59 sulme ajrore në vendbanime dhe pozicionet e ushtarëve ukrainas në 24 orët e fundit, kurse është hapur zjarr mbi 100 herë me sisteme raketore antitank.
Shtabi pohoi se gjatë sulmit janë vrarë dhe plagosur fëmijë dhe civilë, ndërsa është dëmtuar infrastruktura kritike dhe janë shkatërruar mbi 20 shtëpi dhe një shkollë.
Në deklaratë thuhet se ushtria ruse ka kryer sulme ajrore dhe tokësore në vendbanimet e rajoneve Kharkov, Chernigiv, Donetsk, Lugansk, Zaporizhia dhe Kherson gjatë ditës së fundit.
Ushtria ukrainase po ashtu tha se gjatë 24 orëve të fundit kanë bombarduar 10 herë zonat ku janë të përqendruar forcat ruse.
“Ushtarët tanë kanë shkatërruar një helikopter Ka-52 të armikut, 3 dronë Shahed dhe 7 dronë zbulues”, theksohet më tej.
Shtabi i Përgjithshëm tha se njësitë e raketave dhe artilerisë ukrainase goditën 2 qendra komanduese ruse, 4 sisteme raketore antitank, 2 zona ku ishin përqendruar ushtarë dhe pajisje dhe 2 depo municionesh.