Ekip
01 Korrik 2022•Përditësim: 01 Korrik 2022
Festivali ndërkombëtar i filmit në qytetin çek Karlovy Vary, filloi sot mes polemikave pas protestës nga Ukraina për shfaqjen e një filmi rus së bashku me filmat e prodhimit ukrainas, transmeton Anadolu Agency (AA).
Para fillimit të edicionit të 56-të të festivalit, disa regjisorë ukrainas së bashku me ambasadorin e Ukrainës në Pragë protestuan kundër shfaqjes së planifikuar të "Kapiteni Volkonogov ka ikur".
Ambasadori ukrainas Yevhen Perebyinis në një letër të hapur shkroi se do të ishte "çnjerëzore" të shfaqeshin filma ukrainas së bashku me një film rus të realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Rusisë në një kohë kur trupat ruse kanë "kryer mizori" gjatë pushtimit të tyre të vendit të tij.
Organizatorët thanë se e konsiderojnë filmin rus, premiera e të cilit u shfaq në Festivalin e Filmit të Venecias vitin e kaluar, si një kritikë indirekte ndaj lidershipit aktual rus.
Katër filma ukrainas dhe 8 filma të tjerë pothuajse të përfunduar të prodhuar ose bashkëprodhuar nga Ukraina do të shfaqen në festival.
Pasi u anulua në 2020 dhe shty në 2021 për shkak të pandemisë, festivali i këtij viti do të kulmojë me një ceremoni për të nderuar aktorin australian fitues të Oskarit Geoffrey Rush për kontributin e tij në kinemanë botërore.
Rush fitoi çmimin Oscar si aktor në rolin kryesor në "Shine"- 1997. Përveç këtij filmi, festivali do të shfaqë edhe filmat e tij "The King's Speech" dhe "Quills".
Organizatorët do të nderojnë aktorin dhe producentin fitues të Oscar-it, Benicio Del Toro dhe aktorin çek Bolek Polivka.
Festivali zgjat deri më 9 korrik. Juria do të shqyrtojë 12 filma për çmimin kryesor, Globin Kristal.