Betül Yürük
02 Maj 2017•Përditësim: 03 Maj 2017
LANCASTER (AA) - Betül Yürük
Mënyra e jetesës e amishëve në Shtetet e Bashkuara (SHBA), të cilët shkëputen nga bota moderne dhe teknologjia, bazuar në besimin e tyre, të dërgon thuajse në rrugëtim në kohë, shkruan Anadolu Agency (AA).
Amishët, grup religjioz tradicional që për shkak të lëvizjeve reformatore dhe trysnive fetare në shekullin XVIII migruan nga Zvicra drejt "Botës së Re" që premtonte liri fetare dhe që sot numërojnë 300 mijë pjesëtarë, ende jetojnë sipas kushteve të ditës kur migruan nga Evropa për në SHBA.
Amishët njihen si komunitet punëtor dhe i disiplinuar, duke jetuar një jetë shumë të thjeshtë, bazuar në besimin e tyre.
Shumica e amishëve jetojnë në shtetet qendrore dhe perëndimore të SHBA-ve, ndërsa nuk shfrytëzojnë as energjinë elektrike, as mundësitë e tjera që ofron teknologjia moderne.
Pjesëtarët e këtij komunitet, i cili refuzon jetën moderne dhe teknologjinë dhe i jep rëndësi punës së dorës, qëndrojnë larg çdo teknologjie në SHBA, vend ky gjigant i teknologjisë.
Në vend të automjeteve, amishët udhëtojnë me karroca kuajsh që quhen "buggie".
Ata sigurojnë jetesën përmes bujqësisë dhe blegtorisë, teksa gjatë punëve të tyre nuk përdorin madje as traktorë. Ata lërojnë tokat e tyre përmes karrocave të kuajve, ndërsa prodhimet bujqësore i korrin dhe mbledhin pa pasur asnjë teknologji moderne bujqësore.
Të gjithë pjesëtarët e familjes, përfshirë edhe fëmijët, punojnë në ara, mjelin lopët ose kujdesen për punët e shtëpisë.
Teksa bëjnë këto punë, apo ndërtojnë ndonjë godinë, amishët punojnë kolektivisht dhe ndihmojnë njëri-tjetrin.
Familje me shumë anëtarë
Amishët ende vazhdojnë traditën e të pasurit shumë fëmijë. Ata kanë të paktën nga pesë fëmijë, të cilët vijojnë procesin arsimor në periudhë tetëvjeçare në shkolla me nga një klasë. Pas përfundimit të tetë viteve shkollim, familjet nuk i dërgojnë fëmijët në shkolla.
Krahas gjuhës angleze, në jetën e përditshme ata përdorin edhe gjuhën amtare, që është një dialekt i dalluar u gjuhës gjermane.
Ritet fetare të amishëve dallohen nga ato të të krishterëve të tjerë. Në çdo dy javë të dielave, ata tubohen në kishë, ndërsa pas mbajtjes së meshës hanë ushqim.
Kjo bashkësi tërheq vëmendjen edhe përmes mënyrës së veshjes. Ata i qepin vetë veshjet e tyre, ndërkohë që nuk përdorën as zinxhir në veshjet e tyre.
Gratë vishen me ngjyra të mbyllura, fustanë të drejtë e të gjatë dhe përparëse të bardhë, ndërsa në kokë vendosin kësulë të bardhë. Gratë amishe, pas martesës, shkojnë në kishë me rrobat e dasmës dhe po me të njëjtat rrobat varrosen pasi të vdesin.
Ndërkaq, meshkujt veshin pantallona me aski dhe këmisha me krahë të gjatë dhe pa jakë, verës mbajnë kapelë kashte, ndërsa dimrit kapelë fedora. Meshkujt amishë e kanë të ndaluar të lëshojnë mustaqe, ndërsa pas martesës mund të rrisin mjekrën.
Meqenëse nuk përdorin energjinë elektrike, amishët i lajnë rrobat dhe enët e tyre në dorë. Pas perëndimit të diellit, amishët kthehen në shtëpitë e tyre dhe ndezin llambat për ndriçimin e shtëpive.
Janë kundër luftës dhe refuzojnë shërbimin ushtarak. Ata nuk votojnë, nuk paguajnë taksa, por paguajnë vetëm taksën e të ardhurave nga produktet që i prodhojnë dhe i shesin vetë.
Amishët janë shndërruar në qendër vëmendje me mënyrën e jetesës, duke tërhequr shumë turistë në Lancaster. Në vendet ku jetojnë amishët organizohen turne turistike me karroca kuajsh.
Duke qenë kundër teknologjisë, amishëve u pengon të fotografohen dhe xhirohen, duke e kthyer shpinën kur vërejnë se janë duke u fotografuar.