Faruk Zorlu
02 Dhjetor 2022•Përditësim: 02 Dhjetor 2022
Twittter ka pezulluar sërish llogarinë e reperit amerikan Kanye West për shkelje të rregullave të platformës së mediave sociale, transmeton Anadolu Agency (AA).
“U përpoqa për të bërë më të mirën time. Pavarësisht kësaj, ai përsëri shkeli rregullin tonë kundër nxitjes së dhunës. Llogaria do të pezullohet”, shkroi shefi ekzekutiv i platformës, Elon Musk.
Para se të pezullonte llogarinë e reperit amerikan, Twitter gjithashtu kufizoi një postim të tij.
Ndërkohë, kompania ‘Parlement Technologies’ dje tha se West dhe platforma e krahut të djathtë të mediave sociale Parler ranë dakord të ndalin blerjen e kompanisë.
Kompania tha se “ranë dakord reciprokisht” me reperin Ye për t’i dhënë fund synimit të shitjes së platformës Parler.
“Parler do të vazhdojë të ndjekë mundësitë e ardhshme për rritje dhe evoluim të platformës për komunitetin tonë”, tha kompania.
Në muajin tetor, reperi që ndryshoi ligjërisht emrin e tij në Ye, pranoi të blejë platformën Parler, vetëm disa ditë pasi Twitter dhe Instragram pezulluan llogarinë e tij për shkak të deklaratave të tij antisemitike në mediat sociale.
Ye është kritikuar gjerësisht pasi ai hapur ka bërë një sërë komentesh antisemitike javëve të fundit, duke përfshirë lavdërimin e Hitlerit në intervistën e tij të së enjtes në një shfaqje televizive me teoricienin e konspiracionit të ekstremit të djathtë, Alex Jones.
“Unë i dua të gjithë. Kam mbaruar me klasifikimet. Çdo qenie njerëzore ka diçka me vlerë që ata sollën në tryezë, veçanërisht Hitleri”, tha Ye gjatë intervistës.
“Nuk më pëlqen fjala 'të ligë' pas nazistëve. Unë i dua hebrenjtë, por i dua edhe nazistët”, u shpreh ai.