Zehra Aydın
06 Janar 2018•Përditësim: 07 Janar 2018
ANKARA (AA) – Drejtoria e Përgjithshme Meteorologjike e Turqisë në fushën e shërbimeve të Qendrës Virtuale për Parashikimet e Transportit të Pluhurit, e cila është themeluar për shtetet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës përfshin edhe shtetet si Senegali dhe Mauritania, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori i Përgjithshëm i Meteorologjisë në Turqi, Ismail Güneş në një deklaratë për AA tha se transporti i pluhurit ka një rëndësi të madhe në eko-sistemin botëror dhe se arsyet kryesore të transportit të pluhurit janë thatësirat dhe shkretëtirëzimi.
Duke rikujtuar se burimet kryesore të pluhurit në botë janë shkretëtirat në Afrikë, Azi, Gadishullin Arabik, Amerikë dhe Australi, Güneş thotë se “Niveli i pluhurit të përhapur në atmosferë nga këto shkretëtira dhe fushat tjera të thata dhe gjysmë të thata është rreth 2 miliardë ton”.
Ai thotë se më shumë se gjysma e kësaj sasie buron nga rajoni i Saharasë. Güneş bën të ditur se burimi kryesor i dytë pas këtij rajoni janë shkretëtirat në Gadishullin e Arabisë.
“Pellgu i Mesdheut, brenda të cilit ndodhet edhe Turqia, është një nga rajonet më të ndjeshme kundër ndryshimeve klimatike globale”, thotë ai.
Güneş thekson se rritja e temperaturave për 2 gradë celsius shkakton ngjarje të rënda atmosferike në vendet e rajonit, si valë e të nxehtit, zjarre pyjore, rritje të thatësirave ndërsa lidhur me këto edhe humbje të biodiversitetit dhe të produktivitetit bujqësor dhe ulje në të ardhurat e turizmit.
Güneş vuri në dukje se raportet e Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës (IPCC) dhe punimet e realizuara nga Drejtoria e Përgjithshme Meteorologjike tregojnë se Pellgu i Mesdheut dhe Turqia në një të ardhme të afërt do të kenë një strukturë atmosferike më të nxehtë, më të thatë dhe më të pasigurtë sa i përket reshjeve.
Ai bëri të ditur se Turqia, sa i përket aspektit të pozitës gjeografike ndodhet nën ndikimin e dy burimeve kryesore të pluhurit shkretëtinor të cilat burojnë nga Afrika dhe Lindja e Mesme.
Më tej Güneş potencon se për këtë arsye në Drejtorinë e Përgjithshme të Meteorologjisë në Turqi po punohet një Model i Parashikimit të Transportit Rajonal të Pluhurit (BSC-DREAM8b) dhe se këto parashikime janë duke ia prezentuar opinionit publik nëpërmjet internetit.
“Përveç kësaj që nga viti 2012 në funksion është ‘Qendra Virtuale e Parashikimeve të Transportit të Pluhurit’ (www.wdcc.mgm.gov.tr), e cila është themeluar në kudër të marrëveshjes ‘Për Bashkëpunim në Fushën e Ambientit dhe të Meteorologjisë” të nënshkruar në vitin 2010 në mes të Turqisë, Iranit, Irakut dhe Katarit", tha ai.
"Parashikimet 72 orëshe të pluhurit të cilat prodhohen në mënyrë operacionale për shtetet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore, publikohen nëpërmjet internetit. Në vitin 2017, së bashku me fushën e re të parashikimeve e cila është zgjeruar duke përfshirë edhe Mauritaninë dhe Senegalin dhe po ashtu duke shtuar pamje satelitore të transportit të pluhurit, institucioni filloi me shërbime në rajone më të gjera", tha Güneş.