Turqia bëhet aktor kyç global në prodhimin e vajit të ullirit dhe ullinjve të tryezës
Turqia tejkaloi Italinë në prodhimin e vajit të ullirit, duke u renditur e dyta pas Spanjës, ndërsa kryeson në prodhimin e ullirit të tryezës, thotë drejtori ekzekutiv i Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit.
Madrid
MADRID/STAMBOLL (AA) – Turqia ka tejkaluar Italinë në prodhimin e ullinjve dhe vajit të ullirit, duke u bërë prodhuesi i dytë më i madh në botë pas Spanjës, sipas Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit (IOC).
Jaime Lillo, drejtori ekzekutiv i IOC-së me seli në Madrid, tha për Anadolu se Turqia tashmë është një vend i domosdoshëm për sektorin e ullirit.
“Duke parë të dhënat e pesë sezoneve të fundit (2020–2025), Turqia duket se e ka konsoliduar pozicionin e saj si prodhuesi i dytë më i madh në botë i vajit të ullirit dhe ullinjve të tryezës”, tha ai.
“Turqia tashmë jep një kontribut të madh për komunitetin e ullirit”, shtoi Lillo.
“Siç thamë, ajo është një prodhuese e rëndësishme e vajit të ullirit dhe ullinjve të tryezës, jo vetëm për popullsinë e saj, por edhe për tregun ndërkombëtar në rritje”, tha ai.
“Turqia po kontribuon në shëndetin global, pasi njerëzit konsumojnë vaj ulliri dhe ullinj tryeze në mbarë botën, por edhe për planetin përmes ullishteve që janë rritur dhe vazhdojnë të rriten në Turqi”, theksoi Lillo.
Ai deklaroi se Turqia është bërë prodhuesi më i madh në botë i ullinjve të tryezës, duke tejkaluar Egjiptin, falë “sezonit të jashtëzakonshëm 2024–25”.
Ai vuri në dukje se eksportet globale të vajit të ullirit janë rritur me 25 për qind në sezonin 2024–25, me Turqinë që ka kontribuuar ndjeshëm në këtë ngritje, me një rritje prej 132 për qind.
Lillo tha se Turqia përfaqësohet në IOC nga një zëvendësdrejtor ekzekutiv që prej vitit 2023 dhe ka qenë “shumë dinamike, shumë mbështetëse dhe e përfshirë në projektet kryesore të këshillit”.
Ai shtoi se në qytetin turistik jugperëndimor të Turqisë, Izmir, ndodhet një koleksion ndërkombëtarisht i njohur i pemëve të ullirit dhe se IOC-ja po kërkon zgjidhje për sfidat me të cilat përballet sektori, si ndryshimet klimatike. Sipas tij, ky koleksion dhe banka gjenetike e ullirit në Izmir luajnë rol kyç në këto përpjekje.
“Ndryshimet klimatike tashmë janë një realitet që e shohim në statistikat e prodhimit. Për shembull, nuk kemi parë kurrë dy sezone të dobëta radhazi që kur kemi të dhëna statistikore. Kemi parë rritje të luhatjeve mes korrjeve, por kurrë dy korrje nën mesatare njëra njëra pas tjetrës – dhe kjo çoi në rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve dy vite më parë, ose një vit e gjysmë më parë”, u shpreh Lillo.
Ai tha se IOC-ja po punon me ekspertë për t’u përshtatur ndaj ndryshimeve klimatike, duke theksuar se këto ndryshime kanë ndikuar pa dyshim në sektorin e ullirit, veçanërisht në pellgun e Mesdheut. Ai shtoi se pemët e ullirit mund të shërbejnë si një “rezervuar natyror karboni” në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Lillo vuri në dukje se pandemia e koronavirusit ishte një pikë kthese për sektorin e ullirit.
“Në atë moment kur bota u ndal, ne qëndruam në shtëpi dhe disi u tregua se çfarë ishte më e rëndësishme: shëndeti, kujdesi për veten dhe familjen, gatimi në shtëpi… Dhe në atë moment pati një rritje të paprecedentë të konsumit të vajit të ullirit, jo vetëm në tregjet tradicionale, por edhe në tregje të reja si SHBA-ja, Kanadaja, Brazili, Kina dhe Japonia”, tha ai.
Ai theksoi se ka pasur ndryshime edhe në mënyrën e prodhimit të ullinjve, pasi po kultivohen njëkohësisht pemë të reja dhe ato tradicionale.
“Kjo është koha më e mirë ndonjëherë për të shijuar vajra ulliri me cilësi të shkëlqyer, të cilat nuk i kemi parë kurrë më parë, me cilësi të lartë në vëllime masive,” tha ai. “Ky është një lajm shumë i mirë edhe për konsumatorët, të cilët kanë akses në një produkt të jashtëzakonshëm me varietete të ndryshme në rajone të ndryshme”, shtoi kreu i IOC-së.
Lillo tha se Siria është në bisedime me IOC-në pasi u largua nga këshilli gjatë luftës civile dhe tani po planifikon të rikthehet, me procesin e normalizimit që ka nisur. Ai përmendi se Siria tradicionalisht është prodhues i madh i ullirit.
Ai shtoi se IOC-ja po punon për dërgimin, për herë të parë, të materialit gjenetik nga varietetet kryesore të vajit të ullirit të kultivuara në botë në Rezervën Globale të Farërave Svalbard – depoja më e madhe dhe më e sigurt e farërave në botë – në fund të shkurtit.
Ai gjithashtu tha se IOC-ja do të zhvillojë një projekt pilot në më shumë se 600 ferma në 29 vende, për t’i pajisur të gjithë aktorët e sektorit të ullirit me mjete për matjen e bilancit të karbonit, pa ndikim në karakteristikat e ullishteve.
- Raporti i zgjeruar i IOC-së
IOC-ja ka raportuar se prodhimi mesatar global i vajit të ullirit në sezonet 2000–2001 dhe 2004–2005 arriti në 3,1 milionë tonë, prej të cilave 320.000 tonë u prodhuan në Turqi, ose 10 për qind e totalit.
Prodhimi i vajit të ullirit në Turqi ka luhatur nga sezoni në sezon, duke arritur kulmin në 505.000 tonë në sezonin 2024–2025, 58 për qind mbi mesataren sezonale.
Në sezonin 2025–2026, Turqia pritet të prodhojë 290.000 tonë vaj ulliri, 43 për qind më pak krahasuar me sezonin 2024–2025.
Konsumi i vajit të ullirit në Turqi është rreth 170.000 tonë në sezon, ose 5,5 për qind e totalit global. Në sezonin 2024–2025, konsumi arriti në 200.000 tonë.
Konsumi për frymë i vajit të ullirit në Turqi vlerësohet rreth 2 kilogramë.
Turqia eksporton rreth 96.000 tonë vaj ulliri në sezon. Eksportet u rritën ndjeshëm në 2024–2025, duke arritur në 160.000 tonë, ndërsa për sezonin 2025–2026 priten rreth 100.000 tonë eksporte.
Ndërkohë, importet globale të vajit të ullirit – duke përfshirë tregje kryesore si Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Japonia, vendet joanëtare të BE-së në Evropë dhe SHBA-ja – arritën në 59.589 tonë në sezonin 2024–2025, një rënie prej 45 për qind krahasuar me sezonin e mëparshëm.
Në sezonin 2024–2025, eksportet globale të vajit të ullirit u rritën me 25 për qind, me Turqinë, Tunizinë, Spanjën dhe Italinë që kontribuuan më së shumti, përkatësisht me 132 për qind, 38 për qind, 25 për qind dhe 18 për qind.
Prodhimi i ullinjve të tryezës arriti në 3,3 milionë tonë në sezonin 2024–2025, ndërsa konsumi u rrit me 5 për qind në mbarë botën. Turqia, me një rritje prej 13 për qind, ishte faktori kryesor i rritjes së konsumit në këtë periudhë.
Prodhimi global i vajit të ullirit pritet të arrijë në 3,44 milionë tonë në sezonin 2025–2026, ndërsa prodhimi i ullinjve të tryezës parashikohet të arrijë në 2,9 milionë tonë.
Prodhimi i ullinjve të tryezës pritet të rritet në Portugali dhe Egjipt, ndërsa të bjerë në Spanjë, Turqi, Jordani dhe Argjentinë në sezonin 2025–2026.
Ndërkohë, prodhimi i vajit të ullirit pritet të rritet në Itali, Egjipt, Marok dhe Tunizi, dhe të bjerë në Turqi, Jordani, Argjentinë dhe Spanjë në të njëjtën periudhë.
Sipas IOC-së, bazuar në raportet e 1.000 studiuesve gjatë dy dekadave të fundit, vaji i ullirit ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës me 15 për qind, vdekshmërinë nga sëmundjet kardiovaskulare me 23 për qind, kancerin e gjirit tek gratë me 62 për qind, si dhe rrezikun e Alzheimerit dhe diabetit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
