Ekip
13 Qershor 2019•Përditësim: 13 Qershor 2019
Tunizia, Algjeria dhe Egjipti kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me situatën kaotike në Libi dhe kanë bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministrat e Jashtëm të tre vendeve, që të trija fqinje të Libisë, patën një takim të mërkurën në kryeqytetin e Tunizisë.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar gjatë natës ata dënuan "rrjedhën e vazhdueshme të armëve dhe hyrjen e luftëtarëve të huaj terroristë" në Libi.
Më herët gjatë kësaj jave kreu i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje të gjitha vendeve për zbatim të rreptë të embargos mbi importin e armëve në Libi, duke thënë se furnizimi i paligjshëm i armëve nga toka, deti dhe ajri është duke nxitur luftimet në vendin e pasur me naftë.
Libia është në kaos që nga viti 2011, kur Muamar Gadafi, një sundimtar disa dekadash u rrëzua nga pushteti dhe u vra.