Kasım İleri
31 Janar 2017•Përditësim: 31 Janar 2017
WASHINGTON (AA) - Presidenti amerikan, Donald Trump ka shkarkuar nga detyra zv/Prokuroren e Përgjithshme, Sally Yates e cila paraprakisht deklaroi se nuk do ta zbatojë dekretin që mbyll dyert për shtetasit nga shtatë shtete me shumicë të popullsisë muslimane, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën nga Shtëpia e Bardhë, theksohet se zv/Prokurorja e Përgjithshme Yates është shkarkuar nga detyra. "Zv/Prokurorja e Përgjithshme Sally Yates ka tradhtuar Prokurorinë e Përgjithshme duke refuzuar të implementojë një dekret ligjor të hartuar për mbrojtjen e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ligjshmëria e këtij vendimi është aprovuar nga ana e Këshilltarit Ligjor pranë Prokurorisë së Përgjithshme", thuhet në deklaratë.
Në deklaratë po ashtu thuhet se Yates është zyrtare e emëruar nga ish-presidenti Barack Obama, duke u pohuar se ajo është e dobët në tema si kufijtë dhe migrimi ilegal.
Në vend të Yates emërohet prokurori i rajonit lindor të Virginias
Sipas deklaratës, në vend të Yates është emëruar prokurori i Rajonit Lindor të Virginias.
Shtëpia e Bardhë, nga ana tjetër, thekson se "është duke u pritur në mënyrë të padrejtë" që kandidati i Donald Trump për detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm senatori Jeff Sessions të miratohet nga ana e senatorëve demokratë.
Në deklaratë po ashtu qëndron edhe vlerësimi i Boentes, i cili është shprehur se "Ndihem krenar që marr detyrë në kabinetin e presidentit Trump derisa të aprovohet senatori Sessions. Me qëllim të sigurohet ajo që mbron populli dhe kombi ynë, unë do t'i mbroj dhe do t'i zbatoj ligjet e vendit tonë".
Ndryshe, e shkarkuara Yates paraprakisht përmes një letre kishte udhëzuar avokatët e Prokurorisë së Përgjithshme të mos e mbrojnë në gjykata dekretin e nënshkruar nga Trump ditën e premte për kufizimin e vizave.