Servet Günerigök
05 Janar 2020•Përditësim: 05 Janar 2020
Presidenti amerikan Donald Trump është kërcënuar se do të godasë caqe iraniane për çdo sulm ndaj amerikanëve ose SHBA-ve pas vrasjes së komandantit të Forcave Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, Qasem Soleimani, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Irani nuk ka qenë asgjë tjetër përveç se probleme për shumë vite. Le të shërbejë kjo si paralajmërim se nëse Irani sulmon ndonjë amerikan, ose pronë amerikane, ne do të godasim 52 caqe iraniane (që përfaqësojnë 52 pengjet amerikane të marra nga Irania para shumë viteve), disa të nivelit shumë të lartë dhe të rëndësishme për Iranin dhe kulturën iraniane, dhe këto caqe dhe Irani vetë, do të goditen shumë shpejtë dhe shumë fuqishëm. SHBA nuk dëshiron më kërcënime!", shkroi Trump në Twitter.
Ai tha se Teherani zyrtar "po fliste me shumë guxim për shënjestrimin e disa pronave të SHBA-ve si hakmarrje" për vrasjen e Soleimanit, duke shtuar se gjenerali ishte përgjegjës për vdekjen e një amerikani dhe qindra protestuesve iranianë.
Në një sulm ajror jashtë aeroportit të Bagdadit u vranë Soleimani dhe nënkryetari i grupit Hashd al-Shaabi të mbështetur nga Irani, Abu Mahdi al-Muhandis.
"Ai tashmë po sulmonte ambasadën tonë dhe po përgatitej për goditje tjera në vende të tjera", shkruajti Trump.
Vrasja e Soleimanit shënon një përshkallëzim dramatik në tensionet mes SHBA-ve dhe Iranit, të cilat shpesh kanë qenë të përkeqësuara që kur presidenti Donald Trump në vitin 2018 zgjodhi që të tërhiqte SHBA-të në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamor që fuqitë botërore e nënshkruan me Teheranin.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, i cili i dha Soleimanit çmimin më të lartë shtetëror vitin e kaluar, u zotua për "një hakmarrje të hidhur" si reagim ndaj vrasjes.
Pas vdekjes së një kontraktori amerikan në sulmet me raketa ndaj një baze amerikane në Irak, Washingtoni kreu një seri sulmesh që çuan në vdekjen e të paktën 25 luftëtarëve nga grupi i milicisë Kataib Hezbollah i mbështetur nga Irani.
Ky ishte sulmi i parë i madh nga SHBA ndaj një grupi të lidhur me Iranin që nga tërheqja e trupave nga Iraku në vitin 2011.
Ambasada amerikane në Bagdad më pas u sulmua nga një turmë e madhe e protestuesve, duke çuar në një bllokim dyditor midis forcave amerikane dhe protestuesve.
Pentagoni akuzoi Soleimanin për planifikimin e një sulmi ndaj kompleksit të Ambasadës së SHBA-ve në Bagdad dhe se planifikonte të kryente sulme shtesë mbi diplomatët dhe anëtarët e shërbimit amerikan në Irak dhe rajon.