Safvan Allahverdi
12 Gusht 2017•Përditësim: 13 Gusht 2017
UASHINGTON (AA) – Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, mbrëmë deklaroi se ka shumë alternative lidhur me Venezuelën dhe se nuk do ta hedh poshtë as opsionin ushtarak si alternativë, raporton Anadolu Agency (AA).
Trump dha deklaratë në terrenin e tij për golf në Nju Xhersi, pas takimit me ambasadoren amerikane në OKB, Nikki Haley dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson.
“Ajo është fqinje e jonë, e dini, ne jemi të pranishëm në gjithë botën, kemi trupa nëpër gjithë botën, në vende të cilat janë shumë, shumë, larg. Venezuela nuk është shumë larg, atje njerëzit vuajnë dhe vdesin”, tha Trump.
Trump nuk sqaroi nëse opsioni ushtarak do të ishte koalicion i kryesuar nga SHBA-të, as nuk u përgjigj në pyetjen nëse dëshiron të ketë ndryshim të regjimit atje ose në Korenë e Veriut.
Pas referendumit jozyrtar në Venezuelë muajin e kaluar, në të cilin votuesit votuan për Asamblenë Kushtetuese e cila ka autorizim që të rishkruajë kushtetutën dhe të shpërndajë institucione, Trump, një ditë më vonë e quajti presidentin Nicolas Maduro “lider të keq i cili ëndërron të bëhet diktator”, kërcënoi këtë vend me sanksione ekonomike të cilat u vendosën kohë më pas.
Venezuela përballet me një krizë politike dhe ekonomike, meqë çmimet e ulta të naftës së papërpunuar e detyruan Qeverinë t’i ulë ose t’i heq programet e saj.
Situata nxiti protesta masive që nga muaji prill, ku humbën jetën së paku 120 persona. Opozita zhvillonte fushatë të ashpër me qëllim që ta heqin Maduron nga pozita, në zgjedhje të parakohshme.
Nga ana tjetër, Maduro akuzoi opozitën e krahut të djathtë, SHBA-të dhe aleatët e tyre nga rajoni për gjendjen në vend.