Venezuela akuzon SHBA-në se po "krijon hapësirë për trafikantët e drogës"
"Qëllimi i vërtetë i SHBA-së është të rrethojë Venezuelën dhe në fund të sekuestrojë burimet natyrore të vendit", tha presidenti i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Jorge Rodriguez

Bogota
Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Jorge Rodriguez deklaroi se SHBA-ja po krijon hapësirë për trafikantët e drogës në Detin e Karaibeve, transmeton Anadolu.
Duke folur në një takim të Këshillit Kombëtar të Sovranitetit dhe Paqes në kryeqytetin Karakas, Rodriguez kritikoi aktivitetin ushtarak amerikan në rajonin e Karaibeve.
Ai akuzoi SHBA-në se po krijon hapësirë për trafikantët e drogës. "Nëse Washingtoni do të donte vërtet të luftonte trafikun e drogës, do të merrte parasysh që 85 për qind e drogës që arrin në SHBA kalon nëpër Paqësor", tha Rodriguez.
Sipas tij, qëllimi i vërtetë i SHBA-së është të rrethojë Venezuelën dhe në fund të sekuestrojë burimet natyrore të vendit.
"Trafikantët e drogës në Ekuador si dhe ata në Peru, Republikën Dominikane, Kolumbi dhe Meksikë, ndoshta janë shumë të lumtur. Kërcënimet në Karaibe, veçanërisht kundër Venezuelës, po krijojnë hapësirë për ta", theksoi Rodriguez.
Ai thotë se ata i kushtojnë shumë rëndësi sigurisë në vend. "Ju sigurojmë se Venezuela është vend më i sigurt sot sesa SHBA-ja, Ekuadori, Peruja, Paraguai, Republika Dominikane dhe Panamaja", tha presidenti i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës.
- Sulm ndaj anijes që dyshohet se po kontrabandonte drogë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se një sulm është kryer ndaj një anijeje në brigjet e Venezuelës, e cila dyshohet se është përfshirë në kontrabandën e drogës.
Trump deklaroi se sulmi ndodhi në ujërat ndërkombëtare, duke vënë në dukje se gjashtë persona në anije u vranë në sulm, ndërsa asnjë ushtar amerikan nuk u lëndua.
Një forcë detare e përbërë nga një nëndetëse dhe shtatë anije luftarake u dërgua në rajonin e Karaibeve në brigjet e Venezuelës me udhëzimin e Trumpit. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth tha se ushtria amerikane ishte gati për operacione në Venezuelë, përfshirë ndryshimin e regjimit.
Synimi i SHBA-së ndaj disa anijeve në brigjet e Venezuelës për "kontrabandë droge" ka tërhequr kritika si nga qeveria venezueliane ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare, me disa që argumentojnë se sulmet ishin "në shkelje të ligjit ndërkombëtar".