Trump e quan Alex Pretti-n "agjitator" dhe "kryengritës"
"Videoja e publikuar së fundmi tregon se Pretti po bërtiste dhe pështynte ndaj agjentit të qetë dhe nën kontroll të ICE-së", tha presidenti amerikan Trump
Stamboll
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se Alex Pretti, një infermier i njësisë së kujdesit intensiv, i cili u vra nga agjentët e Imigracionit dhe Doganave (ICE) më 24 janar, shfaqi "abuzim dhe zemërim", transmeton Anadolu.
Trump e quajti Pretti-n "agjitator" dhe "kryengritës", duke cituar një video të publikuar së fundmi të tij duke u përballur me oficerët federalë të imigracionit në një rrugë të Minneapolisit 11 ditë para se të qëllohej për vdekje në një tjetër takim me agjentët e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare.
"Një video e publikuar së fundmi tregon Pretti-n duke bërtitur dhe pështyrë ndaj oficerit të qetë dhe nën kontroll të ICE-së", deklaroi Trump.
"Ishte një shfaqje mjaft e fortë abuzimi dhe zemërimi, për të gjithë, e çmendur dhe jashtë kontrollit. Oficeri i ICE-së ishte i qetë dhe i ftohtë, jo një gjë e lehtë të jesh në ato rrethana!", tha ai.
- Të shtëna fatale ndaj Alex Pretti-t
Protestat kundër operacioneve të ICE-së dhe të shtënave nga agjentët federalë të imigracionit kanë ndodhur për më shumë se një muaj në të gjithë shtetin.
Tensionet janë përshkallëzuar në Minesota pas vrasjes së Renee Nicole Macklin Good, një nënë e tre fëmijëve, dhe Pretti-t, të cilët u qëlluan për vdekje në incidente të ndara që përfshinin agjentë të ICE-së në Minneapolis këtë muaj.
Good u vra më 7 janar derisa ishte pranë një proteste. Më pak se tre javë më vonë, Pretti u qëllua gjatë një proteste.
Agjentët e patrullës kufitare amerikane vranë Alex Jeffrey Pretti-n në jug të Minneapolisit të shtunën gjatë një rritjeje të zbatimit të ligjit federal të imigracionit.
Zyrtarë të lartë të administratës së Trumpit e cilësuan shpejt vrasjen si përgjigje të justifikuar ndaj një sulmuesi të armatosur dhe të dhunshëm.
