Diyar Güldoğan
04 Shkurt 2025•Përditësim: 04 Shkurt 2025
Presidenti amerikan Donald Trump do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, raporton Anadolu.
Pas bisedimeve, të cilat do të shënojnë takimin e parë të Trump-it me një udhëheqës të huaj që nga inaugurimi i tij më 20 janar, ai dhe Netanyahu pritet të mbajnë një konferencë për media.
Vizita e Netanyahut në Washington vjen pas arritjes së armëpushimit midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas në Rripin e Gazës, ku më shumë se 47.500 palestinezë janë vrarë që nga 7 tetori 2023.
Trump dje tha se nuk mund të garantojë që armëpushimi në Gaza do të mbahet dhe u tha gazetarëve në Zyrën Ovale se ai nuk ka "asnjë garanci" se armëpushimi do të mbetet në fuqi.
"Kam parë njerëz të brutalizuar. Askush nuk ka parë ndonjëherë diçka të tillë. Jo, nuk kam asnjë garanci se paqja do të mbetet", tha ai.
Përpara largimit të tij të dielën, Netanyahu u tha gazetarëve se ai do të kishte "një takim shumë të rëndësishëm" me Trump-in për të diskutuar "fitoren mbi Hamasin, arritjen e lirimit të të gjithë pengjeve tona shqyrtimin e boshtit iranian të terrorit në të gjithë komponentët e tij".
Netanyahu do të përballet me një valë protestash gjatë qëndrimit të tij në SHBA.
Protestuesit pro-palestinezë, përfshirë hebrenjtë ortodoksë anti-sionistë amerikanë, po planifikojnë një demonstratë kundër Netanyahut.