Bota

Trump do të përfshihet "indirekt" në bisedimet e SHBA-së me Iranin

"Do të përfshihem në ato bisedime në mënyrë indirekte dhe ato do të jenë shumë të rëndësishme", u tha Trump gazetarëve të hënën gjatë rrugës për në Washington

Diyar Güldoğan  | 17.02.2026 - Përdıtësım : 17.02.2026
Trump do të përfshihet "indirekt" në bisedimet e SHBA-së me Iranin

Washington

Presidenti amerikan Donald Trump tha se do të përfshihet "indirekt" në bisedimet për armët bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit që do të mbahen sot në Gjenevë, transmeton Anadolu.

"Do të përfshihem në ato bisedime në mënyrë indirekte dhe ato do të jenë shumë të rëndësishme", u tha Trump gazetarëve të hënën gjatë rrugës për në Washington, kur u pyet se çfarë pret nga raundi i dytë i negociatave bërthamore indirekte.

"Do të shohim se çfarë mund të ndodhë", shtoi ai.

Sipas orarit të shpallur, bisedimet do të fillojnë sot në mëngjes nën ndërmjetësimin e Omanit dhe do të mbahen në Ambasadën e Omanit në qytetin zviceran.

Trump tha se Irani është një negociator "shumë i ashpër".

"Por, do të thoja se ata janë negociatorë të këqij, pasi mund të kishim arritur një marrëveshje në vend që të dërgonim B-2 për të shkatërruar potencialin e tyre bërthamor. Na u desh të dërgonim B-2. Shpresoj se ata do të jenë më të arsyeshëm", shtoi Trump duke iu referuar bombarduesve të fshehtë amerikanë që kryen bombardimet në objektet bërthamore iraniane gjatë një përshkallëzimi të konfliktit Iran-Izrael në qershor 2025.

Irani dëshiron të bëjë një marrëveshje, përsëriti presidenti amerikan "Nuk mendoj se ata duan pasojat e mosarritjes së një marrëveshjeje. Ata duan të bëjnë një marrëveshje", tha ai.

Irani dhe SHBA-ja rifilluan diplomacinë indirekte mbi armët bërthamore në Muscat më 6 shkurt nën ndërmjetësimin e Omanit, gati tetë muaj pasi bisedimet u pezulluan pas një sulmi izraelit ndaj Iranit që shkaktoi një luftë 12-ditore.

Vlerësimet nga të dyja palët ishin pozitive pas raundit të fundit të bisedimeve, të cilat u zhvilluan mes tensioneve të larta për shkak të një grumbullimi ushtarak amerikan në rajonin e Gjirit Persik.

Pasurimi i uraniumit mbetet pikë kyçe e mosmarrëveshjes. Irani kërkon heqjen e sanksioneve ekonomike perëndimore në këmbim të kufizimit të aktiviteteve të tij bërthamore. Ndërkohë, SHBA-ja i ka bërë thirrje Iranit të ndalojë plotësisht pasurimin dhe të transferojë rezervat e tij të uraniumit të pasuruar shumë jashtë vendit.

Washingtoni gjithashtu ka kërkuar të zgjerojë fushëveprimin e bisedimeve për të përfshirë programin e raketave balistike të Iranit dhe mbështetjen e tij për grupet e armatosura në rajon ndërsa Teherani ka thënë vazhdimisht se do të negociojë vetëm për programin e tij bërthamor.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.