Hakan Çopur
12 Korrik 2017•Përditësim: 12 Korrik 2017
WASHINGTON (AA) – Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i cili më 14 korrik do të shkojë në Francë për ceremoninë e Festës Kombëtare, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, do të diskutojë për çështjen e “Sirisë” dhe “luftën kundër terrorizmit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, në një takim me gazetarët, i cili ishte i mbyllur për mediat, dha informacione për vizitën e Trumpit në Paris.
Duke bërë të ditur se gjatë takimit Trump-Macron do të diskutohen çështje të shumta dypalëshe dhe rajonale, zyrtari njoftoi se do të këmbehen edhe mendimet për gjendjen e fundit në Siri dhe luftën kundër terrorizmit.
Zyrtari, duke vlerësuar marrëdhënien mes Trumpit dhe Macront si “mjaft të mirë”, tha se “Në disa çështje mund ta shikojmë botën më ndryshe, por në shumë tema ne kemi mendime të njëjta."
Bëhet e ditur se pritet që të enjten Trump dhe Macron të zhvillojnë një takim prej 1 orë e 15 minutash dhe që pas tij të realizojnë një deklaratë të përbashkët për media. Trump, pasi të marrë pjesë në ceremonitë e 14 Korrikut, Festës Kombëtare në Francë, do të kthehet në SHBA.
Në bisedën telefonike të zhvilluar më 28 qershor, Macron kishte ftuar Trumpin që të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 100-vjetorit prej asaj që ushtarët amerikanë pranë ushtarëve francezë kanë hyrë në Luftën e Parë Botërore, ndërkaq edhe Trumpi kishte pranuar këtë ftesë.