Şenhan Bolelli
20 Janar 2021•Përditësim: 21 Janar 2021
Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë lënduar në shpërthimin që ndodhi në një ndërtesë në qendër të kryeqytetit të Spanjës, Madrid, për shkak të një rrjedhjeje gazi, raporton Anadolu Agency (AA).
Shpërthimi ndodhi rreth orës 15:00 me kohën lokale në një apartament në lagjen Puerto de Toledo në qendër të Madridit.
Sipas udhëheqësve lokalë, ekipeve të zjarrfikësve dhe mbrojtjes civile dhe dëshmitarëve okularë në Madrid, shpërthimi ka ndodhur gjatë një riparimi dhe kontrolli të gazit natyror në ndërtesë.
Siç mësohet, ndërtesa që i përkiste kishës “La Paloma” në afërsi, përdorej si një vend takimi dhe strehimi për klerikët.
Guvernatori i Madridit, Jose Manuel Franco Pardo, deklaroi se një grua 85-vjeçare dhe dy burra kanë humbur jetën në shpërthimin që dëmtoi ndërtesën gjashtëkatëshe, ndërsa si i zhdukur ende figuron punonjësi që po kontrollonte gazin natyror.
Nga dhjetë të lënduarit që janë shtruar në spital, një person është në gjendje të rëndë.
Të gjitha ndërtesat përreth u evakuuan për qëllime sigurie, ndërsa zjarrfikësit dhe ekipet e mbrojtjes civile po i vazhdojnë punimet e tyre në zonën e cila është shndërruar në korridor sigurie.
Krahas kishës, në afërsi të ndërtesës ndodhej edhe një shkollë dhe një shtëpi pleqsh.
Shumë automjete të parkuara në rrugën përpara ndërtesës ku ndodhi shpërthimi janë dëmtuar.