Ekip
24 Maj 2016•Përditësim: 24 Maj 2016
BRUKSEL (AA) - Policia e Belgjikës ka përdorur topa uji për të zbrapsur demonstruesit të cilët protestuan sot në Bruksel kundër masave të kursimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në qendër të Brukselit ishin tubuar dhjetëra mijëra njerëz, ndërsa raportohet se janë lënduar disa demontrues dhe një polic.
Rreth 50 mijë njerëz marshuan rrugëve të qytetit në shenjë pakënaqësie për politikën ekonomike dhe sociale të qeverisë së Belgjikës ndërkohë që sindikatat thonë se masat e reja do të ndikojnë negativisht mbi mirëqenien e përgjithshme në vend.
Në kohën kur protestuesit filluan të shpërndahen, dhjetëra sosh filluan të gjuajnë me gurrë në drejtim të policisë e cila reagoi duke përdorur topa me ujë.
Me pankartën “U mbush kupa” protestuesve iu bashkuan edhe Sindikatat kryesore të vendit të cilat kundërshtojnë massat e reja të cilat parashohin fleksibilitet të punëtorëve, stazh më të gjatë pune dhe paga më të vogla në kushte më të rënda.