Bota

Tragjedia e avionit zemëron protestuesit në Iran

Irani deklaroi se "padashje" kishte rrëzuar avionin ukrainas të pasagjerëve

Ekip   | 15.01.2020
Tragjedia e avionit zemëron protestuesit në Iran

Teheran

Pranimi mahnitës i Iranit se "padashje" rrëzoi me raketë avionin ukrainas të pasagjerëve, disa orë pas fillimit të sulmeve raketore mbi bazat ku janë vendosur trupat amerikane në Irak, ka tërhequr zemërimin dhe revoltën në të gjithë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Iranianët kanë organizuar protesta në pjesë të ndryshme të vendit për të denoncuar atë që ata e quajnë "pakujdesi të pastër" që rezultoi me vdekjen e 176 personave në bord.

Tragjedia e avionit ndodhi disa orë pasi Irani lëshoi dhjetra raketa balistike në bazat ajrore që strehonin trupat amerikane në Irak, si përgjigje ndaj vrasjes së gjeneralit të lartë iranian Qasem Soleimani në një sulm me dron amerikan pranë aeroportit të Bagdadit më 3 janar.

Pasi fillimisht mohoi raportet se një nga raketat e saj kishte goditur avionin e pasagjerëve, Irani pranoi se ai kishte qëlluar "padashje" avionin, duke e quajtur atë një "gabim njerëzor".

Ndërsa presidenti iranian, Hassan Rouhani, e cilësoi incidentin "një gabim të pafalshëm", kurse Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) tha se avioni ishte regjistruar si një raketë kryqëzuese amerikane pasi ajo kishte ndryshuar rrugën e saj dhe ishte drejtuar drejt një lokacioni të rëndësishëm ushtarak.

"Ky është një gabim i pafalshëm, një tragjedi e madhe që mund të shmangej po të ishin vendosur masat e nevojshme paraprake", tha për AA Sodabeh, një protestues në Teheran.

"Në kohë lufte, kur keni filluar një operacion të madh ushtarak kundër armikut tuaj, thjesht nuk mund ta mbani hapësirën ajrore tuaj të hapur dhe të lejoni që fluturimet të operojnë", tha ai, duke bërë thirrje për një hetim të paanshëm dhe një veprim të rreptë kundër presonave përgjegjës

- Kërkim falja nuk mjafton

Një protestues tjetër, Hisham tha se kërkim falja nuk ishte e mjaftueshme për këtë incident tragjik.

"Si mund të justifikoni vrasjen e 176 njerëzve për shkak të një 'gabimi'?, Si mund t'ua shpjegoni këtë 'gabim njerëzor' familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi", tha ai, duke shtuar se "kjo thjesht nuk ka kurrfar kuptimi për ta".

Në mesin e viktimave të avionit ishin 82 iranianë, 63 kanadezë, 11 ukrainas, 10 suedezë, 4 afganë, 3 britanikë dhe 3 gjermanë.

Sipas raportimeve, demonstratat kanë vazhduar në qytete të ndryshme të Iranit që nga incidenti i avionit.

Njerëzit po ashtu edhe përmes mediave sociale shprehin zemërimin dhe pakënaqësinë e tyre.

"Ende nuk mund ta besoj. Pas vrasjes së gjeneralit Soleimani, njerëzit ishin në një gjendje zie, por kjo nuk është mënyra e 'hakmarrjes' që prisnim", shkroi një përdorues në Instagram.

Duke komentuar protestat, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, mbështeti protestat në Iran, duke i cilësuar "njerëz të guximshëm dhe shumë vuajtur të Iranit".

"Unë kam qëndruar me ju që nga fillimi i presidencës sime dhe administrata ime do të vazhdojë të qëndrojë me ju. Ne po ndjekim protestat tuaja nga afër dhe jemi të frymëzuar nga guximi juaj", tha ai.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili sipas raportimeve e kishte bindur Trumpin të urdhëronte sulmin ndaj Soleimanit, tha se ai qëndron me popullin iranian, i cili meriton "një të ardhme më të mirë".

- Gjëra që lan përshtypje

Por, iranianët nuk duken shumë të impresionuar nga mbështetja e ofruar nga zyrtarët amerikanë.

"Personi që kërcënon të bombardojë vendet kulturore iraniane, që është një krim lufte, nuk mund të jetë njëri që i dëshiron të mirën popullit të Iranit", tha Ali Reza, një protestues.

"Ne jemi të trishtuar dhe të tronditur për atë që ndodhi, por ne nuk kemi nevojë për simpatinë ose mbështetjen e Trumpit dhe miqve të tij", shtoi ai.

Pouya Alimagham, një historian iraniano-amerikan dhe autor në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT), tha se iranianët kanë "çdo të drejtë të zemërohen dhe të protestojnë" dhe autoritetet në Iran duhet të "mbajnë përgjegjësi".

"Por, qeveria amerikane nuk ka besueshmëri ndaj Iranit dhe duhet të shohë punët e veta. Pompeo po ndërhyn ashpër në punët e brendshme të Iranit", tha ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın