Mahmoud Barakat
27 shtator 2019•Përditësim: 28 shtator 2019
Pas më shumë se dy muaj nga konfiskimi, tankeri britanik i naftës u lirua dhe ka braktisur ujërat iraniane, transmeton Anadolu Agency (AA).
Tankeri i naftës Stena Impero ka braktisur portin e qytetit Bandar Abbas drejt Korridorit të Trafikut Ndërkombëtar Detar, ka bërë të ditur agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.
"Komandanti i anijes dhe ekuipazhi kanë bërë një zotim formal dhe të shkruar se nuk kanë asnjë pretendim", thuhet në raportimin e agjencisë së lajmeve.
Të hënën, zëdhënësi i qeverisë iraniane, Ali Rabiei, tha se tankeri i naftës është i lirë që të përfundojë udhëtimin e tij.
Më 19 korrik, autoritetet iraniane konfiskuan tankerin britanik të naftës në ujërat e Gjirit Persik "pasi nuk kishte qenë në përputhje me rregullat detare".
Konfiskimi ndodhi në kohën kur u përshkallëzuan tensionet mes Iranit dhe SHBA-ve pasi Washingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore dhe rivendosi sanksione.
Tensionet janë përshkallëzuar pasi SHBA akuzon Iranin se i ka sulmuar fabrikat saudite të naftës më 14 shtator dhe ka njoftuar vendosjen e një numri të pacaktuar të trupave amerikane në Arabinë Saudite.